NË VEND TË HYRJES
Është normale, mendojmë, që ish-studentë të FIN-it, siç thirret shkurt Fakulteti i Inxhinierisë së .Ndërtimit në Universitetin Politeknik të Tiranës (UPT), të ndjekin zhvillimet në fakultetin e tyre gjithnjë të dashur, siç është një shtëpi e përbashkët. Që për autorët e këtij shkrimi u bë dhe shtëpi e dytë e tyre, nga koha  e emërimit aty si pedagogë efektivë, përkatësisht në vitet e largëta 1965, 1967 dhe 1972. Dhe së cilës do t’i mbeten gjithnjë borxhlinj, ndonse janë përpjekur të kontribuojnë shumë për atë. Për më shumë se 40 vjet secili, si pedagogë të brendshëm apo të jashtëm. Nga vitet e para të punës e deri tani, kur janë pothuaj të vetmit profesorë me titull të fushës së ndërtimit në vendin tonë, që, me kohë të plotë apo part-time, mbajnë angazhime të shumta mësimore-shkencore e inxhinierike, brenda ose jashtë vendit (pavarësisht se dy janë në pension).

Rrojmë të gjithë në Shqipëri dhe i ndjekim problemet që ka vendi gjithandej, përfshi arsimin e lartë. Por, na duket (ndoshta jemi të gabuar) që në FIN në shumë drejtime niveli ka rënë mjaft më ndjeshëm se gjetkë, madje frikshëm. Duke mos u krahasuar me botën e përparuar, por qoftë dhe me traditën e krijuar aty në dekadat e mëparshme. Mendojmë se ky është realiteti në FIN. Janë tjetër gjë potencialet jo të pakta mësimore-shkencore që ka fakulteti si dhe   dinamizmi i studentëve të tij. Të cilët vijnë në masë me rezultate shumë të mira e të shkëlqyera nga shkolla e mesme. Që e kanë preferuar FIN-in për t’u formuar aty si inxhinierë apo kërkues shkencorë bashkëkohorë.  Fjala është për treguesit realë të këtij fakulteti, për cilësinë e produkteve që mund të japë ai realisht sot.
 
FAKULTETI DUHET TË JETË VEND PUNE INTENSIVE
FIN-i shfrytëzohet pak, pothuaj si një mjedis fizik ku zhvillohet vetëm mësimi. Ndoshta kjo dukuri është më e gjerë për shkollën tonë.  Ndërkohë, kudo jashtë vendit studentët dhe pedagogët e tyre ndodhen paradite e pasdite në shkollë, për të realizuar aty detyra, llogaritje e projekte, bashkë me profesoratin. Sepse atje shkollat nuk konceptohen si vende jo-rentabile një-turnëshe, në funksion të marrjes së një diplome. Por si institucione të hapura dhe me njerëz me mendje të hapur, ku punohet intensivisht, ditën e deri në mbrëmje, gjithë vitin. Në funksion të përgatitjes cilësore të studentëve, që diplomat e tyre të kenë akses normal në tregun bashkëkohor të punësimit, i cili sa vjen e bëhet më kompetitiv. Në funksion dhe të punëve shkencore me vlera të vërteta.

Përkundrejt kësaj, në FIN karakteristike janë të tjera praktika dhe dukuri. Ku më e dukshmja është mos-prezenca e theksuar në shkollë e pedagogëve. Sigurisht jo e të gjithëve, por e disave. Që, gjithsesi, s’duket të jenë aq të pakët. Që mund të vijnë aty sa për të dhënë mësim. Por që edhe mund të mos vijnë e të mungojnë në klasë (ata, jo studentët). Ndonjëherë, fare-fare gjatë një semestri të tërë apo pjesë të gjata tw tij. Siç ka ndodhur dhe së fundi, në muajt tetor-dhjetor 2013, të paktën me një lëndë të vitit të dytë të degës Hidroteknike. Shkurt, në FIN ndodh që studentëve të mos u sigurohet as minimalja, prezenca në klasë e në zyrë e pedagogut.

Arsyet? Janë gjerësisht të njohura, ndonëse autoritetet “mund” të mos i dinë. Dhe pavarësisht se për këto gjëra “pa rëndësi”nuk flitet shumë. Shumë “neglizhenca” të tilla mund të vijnë nga angazhime të tepëruara të disa pedagogëve efektivë në ndërmarrje e institucione private. Ku (thonë) se janë dy-punësuar me kontrata individuale. Me që “nuk pengon ligji”. Kështu, në FIN “ligji” i lejon disa pedagogë të mos vijnë çdo ditë në shkollë, por vetëm rrallë e për mall. Ndonse aty paguhen për të gjitha ditët e muajit dhe të vitit. Fenomen ky që, kuptohet, është së pari tërësisht në dëm të studentëve. Të cilët, edhe për këtë aspekt trajtohen ndryshe nga moshatarët në vendet europiane, të Perëndimit dhe Lindjes. Ata i kanë profesorët në shkollë çdo ditë, deri vonë, dhe mund të konsultohen kur të duan me ‘ta.
 
PROBLEME DHE DEFEKTE NË PROCESIN MËSIMOR-SHKENCOR
Mësimi – laboratorët - praktikat
Sikurse raportohet dhe për ndonjë fakultet tjetër, në UT psh, edhe në FIN diploma “Bachelor” e ciklit të parë të sistemit të Bolonjës (3+2), për degën e ndërtimit të paktën, rezulton gati e pa-përfillur. Kjo duket nga fakti që pothuaj të gjithë ata që marrin këtë diplomë insistojnë për t’u regjistruar për diplomën “Master”. Pra, pas “Bachelor”-it nuk aplikojnë për punësim. Arsyeja? Ose diplomimi “Inxhinier” është në princip i pamundshëm brenda 3 vjetësh, ose kurrikulat tona të “Bachelor”-it nuk puntojnë te profesioni. Kështu, pavarësisht sakrificave financiare të atyre familjeve të studentëve që kanë pritur punësim të shpejtë bazuar në diplomën “Bachelor”, “Masteri” është bërë objektivi gati i pa-diskutueshëm.

Mund të thuhet se “kështu është sistemi”. Por, në se problemi qëndron për “Bachelor”-in,  në FIN mund të diskutohen defektet eventuale të sistemit apo tonat, bazuar dhe në ecurinë europiane të “Bolonjës”.  Mund të përfshiheshin në ‘to dhe “grupet e interesit”, shoqatat inxhinierike së pari. Çka nuk shohim të ketë ndodhur ndonjëherë.

****
Diploma “Bachelor”, por dhe pranimi në kursin “Master”, i ndarë ky  në opsionet “shkencor” e “profesional”, në FIN hera-herës relativizohen madje dhe komprometohen nga raste tejkalimesh të ligjit a vendimeve zyrtare, sikurse mendojmë se kanë qënë këto të mëposhtmet.
Më i freskëti  është “rokada” që u bë në fillim të këtij viti akademik kuotave të studentëve në kurset “Master” profesional dhe shkencor, kundrejt planifikimit të departamentit të Inxhinierisë së Mjedisit, miratuar dhe nga MASH-i verën që shkoi. Kuotat ishin 40 me 30 studentë dhe u bënë 30 me 40. Pa pyetur shumë për mesataren e notave. Motivet e këtij ndryshimi mund t’i dijë vetëm rektorati UPT që bëri  ndryshimin.

Ndërkohë, edhe mbyllja e kurseve “Master” në specialitete të caktuara nuk mund të bëhet pa konsultime të plota, sidomos me profesoratin e kualifikuar përkatës. Mirëpo, kështu ka ndodhur në FIN me “Masterin gjeoteknik”, që u mbyll pas 2 vjetësh funksionimi rezulatativ të tij.  
Krejt i pa-pranueshëm mendojmë se ka qënë veçanërisht një vendim i marë nga titullari i UPT-së, në tetor 2011, për pranimin në kursin “Master” të FIN-it të një grupi studentësh. Atëhere, për provimin e formimit të diplomës “Bachelor” disa studentëve u ishte njoftuar rezultati pakalues i tyre.

Por, pas kësaj, vjen urdhëri nr. 1024, dt. 24.10.2011 i rektoratit, sipas të cilit, “mbështetur në kërkesën e studentëve”, marrja e provimit të formimit (automatikisht dhe diplomës) konsiderohej e fituar edhe me 25 pikë, nga 100 të mundshme. Kur, si  përpara  atij sezoni ashtu dhe më vonë, numri i pikëve minimale i miratuar dhe i deklaruar ka qënë dhe është aktualisht 45. Në këto kushte, nuk kuptojmë se si mund të merret iniciativa, nga kushdo qoftë, për të “dekretuar” kaluese kuotën 25 pikë, pra notën 2 e gjysëm, kundrejt notës 5 të sanksionuar kaluese kudo në sistemin tonë arsimor.

U dëgjuan në atë kohë debate jo të pakta, edhe kundërshtime nga disa pedagoge që kërkonin zbatimin e rregullave. Por gjithçka u mbyt me “arsyetimin” se “çdo urdhër që vjen nga rektorati duhet zbatuar”. Rasti edhe sot ka mbetur si shëmbull singular dhe që mendojmë se ka ndikuar mjaft negativisht në degradimin e cilësisë së diplomimit në FIN, në emër të “së mirës” të pak studentëve që s’arrijnë rezultate pozitive. Ndërkohë, jemi të bindur se masa e gjerë e studentëve, në FIN e kudo, nuk i honeps këto lloj “tolerimesh”. Madje besojmë thellë se edhe prindi i çdo studenti nuk do të dëshironte “bujari” të tilla. Sepse prindërit dëshirojnë që fëmijët e tyre të marrin arsimim sa më cilësor dhe që ata ta meritojnë me djersën e tyre kalimin e klasës, diplomimin.

Ngjarja e mësipërme tingëlloi në ato kohë (si dhe tani) krejt anormale edhe nga që bëhej dy-tre muaj para zgjedhjeve për autoritetet drejtuese në universitet, në të cilat japin vota edhe studentët. Me ponderim jo të pakët: 20%.

Në ato kohë zgjedhjesh u shpall edhe një angazhim i ri i rektoratit UPT: krijimi i një sezoni shtesë provimesh në muajin maj. I çuditshëm, pa motiv të qartë, akoma më tepër që sezoni tjetër i qershorit është fare afër. Nga ajo kohë kjo sajesë e dëmshme për shkollën vazhdon të aplikohet “rregullisht” në FIN. Duke krijuar jo vetëm mbingarkesa, por kryesorja është që ndikon negativisht në ecurinë normale të mësimit. Për shkak të këtij sezoni shtesë - ku realisht regjistrohet vetëm një numur shumë i kufizuar studentësh - zhvillimi, krahas provimeve, i mësimeve me studentët e tjerë pëson thyerje të ndjeshme. Pavarësisht arsyetimeve me oraret pasdite të provimeve, të cilat gjoja sigurojnë normalitet. 

****
Dihet se krahas aspekteve teorike, formimi i inxhinierëve  i  ka të domosdoshme punimet laboratorike. Laboratore në Inxhinieri duhet të ketë mundësisht çdo lëndë profesionale. Dhe jo thjesht si demonstrime nga pedagogu, por me pjesëmarrjen direkte të studentëve në kryerjen e tyre. Prej këtej shpesh iniciohen edhe kërkimet  shkencore të studentëve. Dikur, para viteve ’90, shumë studentë të Hidroteknikës psh gjatë laboratorëve, si dhe më tej në praktikat mësimore dhe temat e diplomave, janë angazhuar e kanë kontribuar realisht në eksperimentet e veprave të mëdha hidro-energjitike të vendit dhe veprave të vaditjes.

Këto realizoheshin, nën drejtimin e pedagogëve dhe punonjësve shkencorë, në laboratorin e Hidraulikës në godinën qendrore të Universitetit dhe në Laboratorin e Kërkimeve Hidraulike pranë digës së liqenit të Tiranës. Edhe në fushën e konstruksioneve të ndërtimit shumë studentë kanë marrë pjesë aktive në eksperimentime interesante dhe me shumë vlera në modele apo shkallë natyrale (mbulesat e valëzuara betonarmé psh, ato metalike, etj).

Nuk e bëjmë për nostalgji këtë retrospektivë. Por për të argumentuar kontrastin e thellë që ekziston me gjendjen e sotme. Natyrisht, nuk është se në FIN nuk ka fare laboratorë. Por ata janë shumë të pakët apo të pa-përshtatshëm në krahasim me kërkesat bashkëkohore. Mungesa totale, mangësi apo gjendje të mjerë laboratorësh kanë deri dhe lëndë kryesore inxhinierike si: Konstruksione betonarmé, Konstruksione metalike, Mekanika e  dherave, Rezistenca e materialeve, etj. Ka edhe ndonjë rast që laboratorë dhe pajisje vijnë, mund të jenë dhe moderne, por nuk vihen në funksion menjëherë dhe të vazhdojnë mandej të përdoren në mënyrë permanente, normale (si laboratori i kimisë në departamentin e Mjedisit apo laboratori i gjeoteknikës rrugore).

****
Kështu, në FIN-in e UPT-së praktikisht asgjë nuk lëviz në kërkimin shkencor laboratorik. Madje, shumë më keq akoma: ka raste që nuk realizohen punë laboratori krejt të domosdoshme për studentët. Kështu ndodh psh  në një lëndë bazë teoriko-eksperimentale siç është Hidraulika, por dhe në ndonjë lëndë tjetër. Si mund të pranohet që sot një student i Hidroteknikës të mos bëjë në Hidraulikë asnjë laborator, sikurse ndodh në FIN?  Kur,  në vitet ’60  e ’80 bëheshin jo pak por 17 laboratorë, që  mbroheshin mandej në seanca të veçanta. Jemi të bindur se kjo që ndodh në FIN është e pa-besueshme për kolegët inxhinierë kudo që punojnë në Shqipëri dhe është turp ta marrin vesh kolegët tanë në Kosovë, Maqedoni e kudo jashtë vendit. 

****
Për laboratorët në FIN është normale të pyetet: pse është kjo gjendje; a është analizuar ndonjëherë ajo; a ka pasur mundësi  FIN-i dhe UPT ta përmirësojnë atë? Duke u ndalur te fusha e Hidraulikës, në dijeninë tonë ka patur të paktën dy mundësi të sigurta për përmirësime domethënëse të gjendjes, por që nuk janë shfrytëzuar. Dhe ja sepse. Para katër-pesë vjetësh dy nga autorët e këtij shkrimi (Gj.I. e N.P.) ishin pjesë e një komisioni të MASh-it për të shqyrtuar kërkesat e shumta për pajisje laboratorike në fusha të ndryshme, paraqitur nga të gjitha universitetet publike të vendit.

Financimi i realizimit të projekteve fituese do të bëhej, sikurse u bë, nga Banka Botërore. Në renditjen sipas  nevojave dhe nivelit të projekteve që shoqëronin kërkesat, u klasifikuan fituese edhe dy projekte nga fusha e Hidraulikës: njëri i përgatitur nga departamenti i Hidraulikës në FIN dhe tjetri nga një departament i një instituti shkencor të UPT-së. Pas miratimeve të projekteve fituese, për të gjithë filloi procedura e blerjes së pajisjeve. Në dijeninë tonë, programi i Bankës Botërore pati impakt mjaft pozitiv për shumë departamente dhe universitete të vendit. Nuk kemi dëgjuar për raste që të mos jenë blerë pajisjet.

Me përjashtim të dy pajisjeve laboratorike të Hidraulikës, secila me vlerë rreth 100 mijë $.
Arsyet e këtij mos-realizimi fatkeq nuk mund t’i dimë saktësisht. Dimë se pas miratimit të fondeve, departamentet përkatës në FIN dhe institutin e UPT-së ishin të preokupuar të dinin se përse nuk po bëhej blerja e pajisjeve të tyre. Thonë - çka mund të sqarohet nga organizmat përgjegjëse shtetërore - se problemi “mbeti” te preferenca për firmën a firmat ku do të bëhej blerja nga UPT-ja. Por ajo që rezultoi nga gjithë kjo është boshllëku për pajisjet e nevojshme laboratorike të Hidraulikës. Të parashikuara që t’u shërbenin si kërkuesve shkencorë ashtu dhe studentëve të fushës.

****
Pavarësisht nga sistemi totalitar që kishte Shqipëria, për t’u përmendur nga përvojat e mira në FIN-in e para ’90-ës janë dhe praktikat mësimore. Në Fakultetin e Inxhinierisë të viteve ’70 dhe ’80 të shekullit të kaluar një zv/dekan merrej shumë dhe në mënyrë tepër serioze me përzgjedhjen e ndërmarjeve ku do të bëheshin praktikat, me kontratat zyrtare si dhe me ndjekjen rigoroze të realizimit të tyre, krahas grupeve të tëra me pedagogë të angazhuar me ‘to.

Sepse praktikat gjithashtu janë pjesë integrale e formimit inxhinierik. Edhe sot, në çdo shkollë inxhinierike serioze të huaj, kryerjes së tyre dhe asistencës së kualifikuar të studentëve gjatë praktikës i jepet rëndësi e dorës së parë. Atje, mbrojtja e raportit që ata hartojnë për punën e kryer bëhet para komisioneve mikse me profesorë të shkollës dhe profesionistë nga kompanitë e ndërtimit. Moment ky që vlerësohet si shumë më i rëndësishëm se një provim i zakonshëm.
 
Po ne ku jemi? Në degën e ndërtimit të FIN ky komponent thelbësor, praktika mësimore, pavarësisht ndonjë përmirësimi të vogël, vazhdon të jetë larg modeleve të botës së përparuar, madje larg traditës tonë të dikurshme, larg dhe disa përpjekjeve pozitive që bëhen në FIN në këtë drejtim nga departamentet e Mjedisit dhe Hidroteknikës.
 
Po kush është pengesa që në FIN të mos adoptohet edhe për praktikat mësimore shembulli i shkollave inxhinierike të huaja?  Nuk dimë të jetë bërë ndonjë analizë aty. Por jo rrallë nxirren arsye financiare. “S’ka parà”. Çka nuk duhet të pranohet, sepse shteti ka detyrime për realizimin e tyre njëlloj si për mësimin në auditor. Por, nga ana tjetër janë dhe të ardhurat  e shumta që vilen në FIN nga pagesat e studentëve dhe doktorantëve. Ne nuk e dimë ku shkojnë e si janë shpërndarë ndër vite nga UPT-ja dhe FIN-i këto të ardhura.

Por dimë se vitin që shkoi vendimi nr.28 dt.31.1.2013 i MASH-it, që zyrtarizoi ndarjen e  fakultetit në dy pjesë – ngjarje kjo që, veç anës financiare, dublimit të administratës etj, u bë në mënyrë të nxituar, të pakonsultuar sa e si duhet, pa respektuar standardet minimalë akademike-shkencore për krijimin e departamenteve dhe fakulteteve të reja dhe, për më tepër, në gjykimin tonë, mbart vetëm pasoja negative për përgatitjen cilësore të dy-anshme, si të arkitektëve ashtu edhe konstruktorëve – burimin e shpenzimeve të ndarjes së fakultetit ia kish lënë UPT-së (ku është FIN-i), jo buxhetit, pra të ardhurave që vijnë nga studentët. Të cilat, si për FIN-in ashtu dhe për UPT-në, mendojmë se duhet të parashikohen e harxhohen  vetëm për gjëra të dobishme për studentët e doktorantët, sikurse janë mësimi, bibliotekat, praktikat mësimore dhe laboratorët e munguar.
 
Në kërkimin shkencor dhe doktoraturat
Agjenci kompetente ndërkombëtare, siç është QS World University Rankings kanë evidentuar, sidoqë në mënyrë globale, realitete të zymta “shkencore” e mësimore në UPT. Indirekt, sipas saj, kështu del gjendja dhe për disa fakultete përbërëse të tij (ndoshta jo të gjitha). Këto 3 vitet e fundit, kjo agjenci Universitetin Politeknik të Tiranës e ka renditur në vende fare të dobta. Një herë madje, më 2010, në të fundit fare, në vendin e 11 996 nga 11 996 universitete të analizuara (“G.Shq.”, 18.9.2010). Edhe në 2012-ën UPT-ja mbante praktikisht po atë pozicion, të 11 541-tin (“Shqiptarja.com”,15.2.2012).

Përsëri, ndonëse globalisht, vlerësimet e kohëve të fundit janë shumë trishtuese. Sepse, sipas medias “....në klasifikimin e përgjithshëm botëror universitetet tona publike dhe jo-publike, që bëhet për çdo vit, humbasin terren dhe klasifikohen në vendet më të fundit, krahasuar me vëndet më të pa-zhvilluara afrikane” (“Sot”, 11.1.2014).  Mirëpo, kur përmendet niveli i dobët në UPT (si në një artikull në “Shqip”, 19.10.2013, të njërit prej autorëve të këtij shkrimi), nga persona të veçantë mund të marrish reagime negative, gati të formës së shantazhit.

Duke u përqendruar te FIN-i, mund të vërehet se në fushën e Inxhinierisë së ndërtimit fakulteti ynë fatkeqësisht mund të shërbejë si shembull ku nuk trajtohet e zgjidhet asnjë problem shkencor-aplikativ që mund të ketë nevojë vendi. Nuk ka fare projekte të tilla, në dallim rrënjësor nga çka ndodh kudo në fakultetet analoge të botës. Në FIN nuk organizohet prej shumë kohësh as edhe një seminar, workshop a konferencë shkencore, kombëtare apo ndërkombëtare. Aktivitete të tilla janë vetëm kujtim i së kaluarës.
Në fakt, nuk mund të ketë progres e zhvillim në ato shkolla ku, veç të tjerave, s’ka laboratorë shkencorë dhe ku bibliotekat janë në gjendje mjerane. Në atë të FIN-it të mbysin librat e viteve ’60 e ’70. Shumë rrallë hyjnë libra të rinj, me përjashtim të atyre që përgatit dhe boton një pjesë e vogël e profesoratit. Ka shumë kohë që aty nuk hyn asnjë periodik i huaj. Ndërkohë që FIN-i mund të kishte, sikurse homologët jashtë, edhe periodikun e vet shkencor.

****
Më të rinjve ndoshta u tingëllon i fryrë që - megjithë frustimin politik dhe izolimin e vendosur dikur nga diktatura - është fakt se atëhere janë realizuar mjaft studime dhe disertacione shkencore me nivel të ngritur. Të mbështetura në punë të gjatë e intensive, libra e periodikë të huaj të kohës, të cilët - pavarësisht se jo të shumtë - nuk mungonin. Udhëheqjet e disertacioneve ishin tepër dinjitoze nga ana profesionale e shkencore.

Po kështu, organizoheshin rregullisht sesione shkencore, sigurisht një pjesë e mirë edhe për qëllimet propagandistike të pushtetit të kohës. Ndërkaq, në buletinin BShT janë botuar mjaft punime shkencore me nivel nga fusha e ndërtimit. Madje, për një periudhë të shkurtër, në mesin e viteve ‘1970 filloi të botohet dhe revista “Ndërtuesi i ri”, me punime, natyrisht  modeste, të studentëve.

Kurse sot në FIN - pavarësisht avantazheve të mëdha që ka krijuar hapja e madhe me botën - mendojmë se është mjaft problematike gjendja me kërkimin shkencor dhe sidomos me doktoratat. Të cilat kudo në botë vlerësohen si “motorri” i progresit në shkencë.

****
Po të njihesh nga afër me kapacitetet që ka FIN-i për të realizuar me nivel edhe ciklin e tretë të studimeve (doktoratat) nuk ke si të mos bësh pyetjen: a mos vallë për këtë qëllim duhet të sjellim pedagogë e profesorë nga jashtë vendit? Arsyet për të pyetur kështu dalin lehtë po të analizosh qoftë dhe vetëm kursin teorik të shkollës doktorale. Ku mund të konstatosh gjëra të çuditshme, madje pa hyrë shumë në detaje. Dhe ja sepse.

Së pari, përfshi dhe vitin akademik 2012-2013, programet e lëndeve të këtij kursi nuk janë miratuar ndonjëherë nga Këshilli i profesorëve (KP), sikurse duhet. Vetëm plani mësimor më në fund u stabilizua deri diku vitin që shkoi. Por, programet nuk kanë arritur të shqyrtohen e miratohen. Madje as të dorëzohen në KP. Thjesht sepse shkolla doktorale ka pritur që ato “t’i dërgojnë të gjithë pedagogët e lëndëve”. Mirëpo, kush ka punuar në arsim, fillor, të mesëm e më lart e kupton se çdo të thotë të punohet në shkolla pa programe të miratuara (akoma më keq, po të mos ketë fare të tilla). Së dyti, ka lektorë të këtij kursi pa kualifikimin e kërkuar nga rregullorja (minimumi, me titull “prof. asoc”), që japin mësim aty prej vitesh. Ndërkohë që një profesore me titull e  Mekanikës së dherave nxirret në pension dhe nuk ftohet për t’u angazhuar në këtë kurs.

Po kështu, edhe udhëheqja e doktoraturave në FIN është tepër e sforcuar. Për udhëheqje janë ofruar disa profesorë; ndërkohë që, për këtë qëllim, duhet patjetër të ftohen të gjithë ata profesorë-inxhinierë ndërtimi që janë në aktivitet, pavarësisht se ku, në FIN apo gjetkë. Sidoqoftë, dihet se numri i reduktuar i profesorëve me titull të fushës te ne (përfshirë prof. asoc) nuk mund të mbulojë shifrën jo të vogël të kandidatëve-doktorantë të regjistruar në FIN. E cila, qysh vjet është mbi 100. Ndërkaq, FIN-i është i obliguar që t’u përgjigjet mirë dhe sa më shpejt kërkesave të shumë doktorantëve që aspirojnë realizime disertacionesh me vlera shkencore. Për çka duhet siguruar profesorat udhëheqës adekuat, si dhe mundësi për kërkime laboratorike, këtu ose jashtë.

****
Do të mendonim se zgjidhja e plotë e problemeve të kërkimit shkencor, doktoraturave në veçanti, kërkon bashkëpunime dhe projekte efektive ndërkombëtare. Një nga programet e mëdha kontribuuese Europiane mbetet “Erasmus Mundus”. Drejtori i Arsimit të Lartë në Komisionin Europian informonte kohët e fundit se në “Erasmus” aktualisht përfshihen 700 institucione të arsimit të lartë dhe më shumë se 16 000 studentë, doktorantë dhe pedagogë (“Mapo”, 4.11.2013). Nuk e dimë se sa është angazhuar FIN-i për ta bërë të njohur gjerësisht, si në radhët e studentëve ashtu dhe të doktorantëve dhe pedagogëve këtë program të shkëlqyer dhe për t’u përfshirë në ‘të.  Ashtu siç ka vepruar psh Universiteti i Tiranës. Natyrisht, ka dhe shumë mundësi të tjera të ngjashme që nuk shohim të shfrytëzohen në FIN, për të avancuar sidomos me udhëheqjen dhe përgatitjen e doktoraturave cilësore.

POLITIZIMI DHE SERVILIZMI NDAJ PUSHTETIT
Politizimi është ndjerë prezent deri vonë edhe në FIN. Pavarësisht se ka ndryshuar formë. Por thelbi mbetet i njëjtë: presioni e kërkesa, direkte apo indirekte, për “t’i bërë fresk” e për t’i shërbyer  pushtetit politik të radhës. Sigurisht, kur ai ka pasur nevojë për ca “profesorë”, për servilizmin e tyre të mirë-kalkuluar. Realitet i shëmtuar që ka (për)ndjekur edhe shkollën e lartë, pas 23 vjet “depolitizimi” të saj.

Të gjithë e kujtojnë psh atë peticionin “e famshëm” kundër grevës së opozitës politike në vitin 2010. Atëhere kur edhe nga UPT-ja nuk munguan prononcimet dhe “solidarizimet” kundër opozitës. Ndonëse realisht të rreshtuara në një listë mjaft të reduktuar personash, të udhëhequr nga titullari i UPT-së.  Ne na vinte keq  atëhere më tepër që shihnim  edhe FIN-in të “prezantohej” aty shëmtueshëm, veç të tjerave edhe në formë mashtruese. Sepse, krahas drejtuesve të UPT-së,  në  listën e “intelektualëve të pushtetit” delnin gjithashtu emra punonjësish të zakonshëm të administratës së FIN-it me titullin “profesor(e)”, që nuk e kanë (“Standard”, 13.5.2010; 14.9.2010). Por, ka patur dhe raste të tjera kur në FIN dhe UPT është shkelur standardi depolitik që duhet të ketë fakulteti, universiteti, shkolla në tërësi.  
 
PËRFAQËSIMI I MUNGUAR I INXHINIERISË SË NDËRTIMIT NË FIN
Dikur në degën e ndërtimit dhe në FIN, në katedra si dhe në këshillin shkencor të tij, nuk vihej në diskutim drejtimi dhe prezenca konsistente e profesoratit me tituj dhe grada shkencore në fushën e ndërtimit. Në vitin ’92 vetëm në degët ndërtim dhe hidroteknik profesorati i FIN-it kishte mbi 15 pedagogë me titullin shkencor “prof” ose “docent” (që ishte ekuivalent me “prof. asoc” e sotëm). Po tani, si është gjendja në këtë aspekt? Sado paradoksale (ndoshta dhe fyese) të duket për komunitetin e madh të inxhinierëve të ndërtimit në vend, fakulteti i vetëm publik i profesionit të tyre sot shumë pak përfaqësohet me inxhinierë ndërtimi. Ja disa shembuj.
 
Në organizma mësimorë-shkencorë
Pa dashur ta personalizojmë problemin, vërejmë psh që një pedagoge e diplomuar për kimi, dhe që sapo ka marë (vjet) titullin profesore, përveç një detyre të veçantë që mban në rektoratin UPT, në FIN është: 1.-shefe departamenti; 2.-kryetare e Këshillit të Profesorëve (KP) të fakultetit; 3.-përfaqësuesja e  vetme e tij në redaksinë e revistës shkencore të UPT-së. Ndërkaq, megjithë ca ndryshime që iu bënë para dy-tre muajsh, Këshilli i Profesorëve në FIN - organizëm i rëndësishëm ku bëhen shqyrtimet  dhe miratimet e plan-programeve të shkollës doktorate, shqyrtimet e doktoratave për degët që mbulon fakulteti, shqyrtimet e dosjeve për tituj të ndryshëm shkencorë (prof, prof. asoc, etj) - ka këtë përbërje: kryetarja e KP, kimiste; një antar, shumë i mirënjohur për fushën e Hidrologjisë (afër Hidraulikës), është gjithsesi jo i diplomuar në Inxhinieri por në Fizikë; një antar ka mbaruar për Matematikë; një antar ka mbaruar për Inxh. mekanike (është rektori i UPT); një antar ka mbaruar për Arkitekturë; janë dhe dy antarë që kanë mbaruar për Inxh. ndërtimi.

Nga këta të fundit, njëri nuk është efektiv në FIN, por në institutin IGJEUM të UPT-së. Kështu, në KP-në e FIN-it ka vetëm një antar inxh ndërtimi -efektiv i fakultetit (N.P.); por, i cili,  para dy-tre javësh ka njoftuar KP-në se ndjehet i detyruar të mos marë pjesë në mbledhjet e KP-së, duke parashtruar arsye që konsistojnë në defekte të funksionimit të këtij këshilli.
Veç përfaqësimit krejt minor të fushës së ndërtimit në KP-në e FIN-it, aty mendojmë se ka edhe një problem tjetër.

Sepse - ndërkohë që në frymën e ligjit KP-të duhet të jenë sa më të pavarura nga autoritetet e shkollës në vendim-marrjet e tyre - lista e miratuar vitin që shkoi nga rektori UPT për KP-në e FIN-it përmbante: rektorin vetë dhe dy dekanë fakultetesh të tjera. Kur, normalisht, në rastin e FIN-it, i cili nuk arrin të plotësojë numrin minimal të antarëve për KP-në e tij (7), plotësimi i vendeve mund të bëhej natyrshëm me profesorë nga fusha afër ndërtimit. Sikurse është në radhë të parë Arkitektura, por dhe ndonjë fushë tjetër, si  psh Sizmologjia.
 
Në udhëheqje dhe vlerësime gradash dhe titujsh shkencorë
Në FIN vërehen dhe ca “risí” të çuditshme që janë shfaqur kohët e fundit. Nga ato që përsëri besojmë që nuk ndodhin as në Shqipëri, se në botë jo e jo. Një nga këto është praktika – fatkeqësisht, veç të tjerave, kjo po bëhet dhe masive - që udhëheqja e doktoratave të fushës së Inxhinierisë së ndërtimit si dhe kryesimi i  Jurive apo Komisioneve të vlerësimit për gradën “doktor” e titull “prof. asoc” në këtë fushë  të bëhet jo nga profesorë të Inxhinierisë së ndërtimit, por të fushave të tjera. Më konkretisht, disa (deri tani të paktën 6-7) udhëheqje doktoratash dhe kryesime jurish (komisionesh) të tilla në FIN i ka marrë përsipër rektori i UPT-së.

Pavarësisht se nga antarë të Këshillit të Profesorëve në FIN është këmbëngulur që përbërja e jurive e komisioneve duhet të respektojë kriterin shkencor-profesional. Por, në “përgjigje” kjo këmbëngulje shkaktoi vetëm “akuzën” e “pengimit të doktoraturave” (“akuzë” që ka marrë reagim proporcional). Faktet më të freskëta janë këto: në muajin nëntor 2013 rektori u bë kryetar i 3 Jurive të vlerësimit të disertacioneve për gradën shkencore “doktor”, si dhe i një komisioni vlerësimi për titullin “prof. asoc”, që të gjitha nga fusha e konstruksioneve të ndërtimit. Për më tepër, në përbërjen e secilës prej 3 Jurive nga 5 antarë të tyre vetëm 2 ishin të profesionit Inxh ndërtimi, kurse te Komisioni për titullin “prof. asoc”, nga 7 antarë vetëm 1 ishte i këtij profesioni. Për të mos përmendur mungesën e transparencës që shoqëroi paraqitjen dhe shqyrtimin e materialeve për titullin dhe gradat e sipër-përmendura në KP.

****
Këto praktika që aplikohen në FIN mendojmë se nuk janë të rregullta as në kontekstin dhe frymën e rregullave tona, palé atyre Europiane. Mjafton t’i referohemi Kosovës, Universitetit publik të Prishtinës, Fakultetit të Ndërtimtarisë aty, për të marrë pak shëmbull në përgjegjshmërinë dhe seriozitetin e procedurave rigoroze që ata ndjekin për këto aspekte. Mirëpo, lidhur me këto praktika  jo rallë dëgjohet arsyetimi: “nuk i pengon rregullorja”. Por, a nuk do të ishte nivel shumë i ulët i ndonjë rregulloreje në se do të jepeshin përcaktime eksplicite për të penguar praktika, nonsensi i të cilave nënkuptohet normalisht. Si psh, për profesorët e Universitetit Bujqësor të thuhej: “nuk lejohet që profesorët apo akademikët e Veterinarisë të udhëheqin doktorantë të fakultetit të Bujqësisë, dhe e kundërta”. Sepse, besojmë, në Fakultetin e Bujqësisë psh do të preferohej që drejtimin e një doktorate ta bënte më mirë një agronom pa titull e gradë se sa një veteriner.

Por, po kështu do të mendonim edhe për përbërjen masive dhe drejtimin e Jurive nga jo-profesionistë të fushës.  Megjithatë, si kanë ardhur punët në FIN, ndoshta MAS-i mund ta mendojë seriozisht nevojën e vendosjes së klauzolave të tilla në udhëzimet përkatëse. 
 Gjithsesi, dëshirojmë të sqarojmë që ne nuk mendojmë asnjëherë se doktorantët e FIN-it - përveçse punës vetjake dhe udhëheqjes profesionale që mund të kenë patur - gradën shkencore të tyre do t’ia dedikonin ndonjë autoriteti a zyrtari në universitet, fakultet a kudo qoftë. Sidomos, atyre larg profesionit të Inxhinierisë së ndërtimit. Përndryshe, ç’rëndësi reale do të kishte diploma e lartë shkencore që merret? Ç’kuptim do të kishte kënaqja me lehtësira dhe shpërblime afat-shkurtëra që shfleftësohen shpejt? Por dhe për çfarë do t’i shërbenin FIN-it “votime”, udhëheqje, juri, komisione dhe pagesat jo të pakta që bëhen për ‘to?
 
Në projektet shkencorë

Mos-prezenca e profesionistëve vërehet deri dhe në ndonjë projekt shkencor, objekti i të cilit ka qënë nga fusha e gjerë e Inxhinierisë së ndërtimit. Konkretisht bëhet fjalë për projektin NOVIWAM, mbi menaxhimin e burimeve ujore, një projekt bashkëpunimi ndërkombëtar nga fusha e Hidraulikës dhe Hidrologjisë, ku ka pasur mundësi të “ingranohej” FIN-i. Në Internet, duke klikuar emërtimin e tij - ndërkohë që zytarë të projektit mund kontaktohen me e-mailin: info@noviwam.eu - informohesh se projekti ka filluar më 01.02.2010 dhe ka përfunduar më 31.01.2013. Informacionet tregojnë gjithshtu se ai është financuar nga Bashkimi Europian dhe se aty kanë marë pjesë Shqipëria, Qiproja, Franca, Spanja dhe Portugalia. Konform politikave aktuale Europiane, NOVIWAM-i midis të tjerave ka synuar nxitjen e partneritetit ndërmjet tre subjekteve që trajtojnë problemet e burimeve  në çdo vend, që janë : 1. - autoritetet shtetërore; 2.- biznesi; 3.- institucionet e kërkimit shkencor (“research”).

Projekti duket se ka qënë shumë i përshtashëm për vendin tonë, duke patur parasysh nevojat e shumta që ka këtu për përmirësime në sektorin e burimeve ujore, andej nga fillojnë furnizimet me ujë të qyteteve dhe fshatrave. Për dy subjektet e para, nga pala shqiptare pjesëmarrëse kanë qënë Drejtoria e Ujësjellsave e Kanalizimeve dhe një shoqatë e këtij sektori (SHUKALB). Subjekti i tretë, ai për anën shkencore, ka patur si pjesëmarrës Universitetin Politeknik të Tiranës (UPT).

****
Mirëpo, pas pritshmërisë pozitive për pjesëmarrjen shkencore shqiptare del një problem për t’u sqaruar. Që lidhet me “çudinë” se si në FIN-in e UPT-së shefi i departamentit të Hidraulikës dhe shefi (deri në shtator 2013) i departamentit të  Inxhinierisë së Mjedisit nuk kanë patur as dijeninë më të vogël për projektin NOVIWAM. Të njëjtën gjë thotë edhe drejtori (deri në nëntor)  i Institutit IGJEUM të UPT-së, ku ka gjithashtu sektorë shkencorë për studime mbi ujin dhe hidrologjinë. Ndërkaq, informacionet në Internet tregojnë se nga ana e UPT-së projekti është përfaqësuar prej titullarit të këtij institucioni, rektorit të UPT-së, i cili nuk është diplomuar për fushën e ujrave dhe burimeve ujore.

Në këtë kontekst, mendojmë se është normale që në FIN, por dhe nga  zyrat kompetente të MAS-it në radhë të parë, të sqarohen pyetjet vijuese: Si është e mundur që projekti NOVIWAM figuron i realizuar, për anën shkencore, nga UPT-ja, kur për ‘të nuk kanë dijeni instituti dhe departamentet e vetme që trajtojnë problemet e ujrave në UPT? Duke iu referuar për krahasim departamenteve universitare të vëndeve të tjera që kanë marrë pjesë në projekt, kush e ka trajtuar për gati 3 vjet këtë projekt nga ana e UPT? Ç’studime dhe konkluzione të karakterit shkencor janë paraqitur nga pala jonë në projekt dhe ku janë diskutuar ato nga ana shkencore? Krahas aspekteve të tjera, si janë menaxhuar në UPT fondet e akorduara aty nga BE-ja (të cilat, po të bëhet analogji me projekte të ngjashme Europiane, duhet të kenë qënë të paktën disa dhjetra mijë Euro)?
 
Në pensionimet dhe largimet e profesorëve
Një problem i veçantë është edhe ai i pensionimeve dhe largimeve të profesorëve të FIN-it. Konkretisht, këto dy vitet e fundit janë nxjerrë në pension dy profesorë të FIN-it (L. Bozo dhe  Gj. Ikonomi), titullarë disiplinash fondamentale inxhinierike sikurse janë “Mekanika e trojeve dhe themelet” dhe “Mekanika fluideve dhe hidro-dinamika”. Por dhe ndër të paktët antarë-inxhinierë ndërtimi të KP-së në FIN.

****
Në pension do të dalin dikur të gjithë. Por, në rastet e sipër-përmendura fjala është te pensionime të papritura profesorësh, që kanë shkaktuar, mendojmë, impakt negativ së pari për FIN-in, studentët dhe shkollën doktorale ku kanë qënë të angazhuar. Si dhe për Këshillin e Profesorëve në FIN, që praktikisht vetëm emri i ka mbetur si i “Inxhinierisë së ndërtimit”.

Largimi nga shkolla e lartë i çdo profesori - këtu dhe kudo në botë - nuk mund të jetë aq i lehtshëm, kaq i pa-përgjegjshëm sa ç’ndodh në FIN. Themi largimi sepse të dy profesorët, jo vetëm që u pensionuan  relativisht shpejt pas mbushjes së moshës – ndërkohë që në UPT ka patur precedentë të mirënjohur me profesorë të pensionuar mjaft përtej moshës së pensionit – por, për më tepër, ata praktikisht u përjashtuan nga mësim-dhënia.

Pa ua mundësuar as aktivizimin si  pedagogë të jashtëm, në lëndët e tyre. Nuk po ndalemi te “standardet” selektive që ka ndjekur UPT-ja mbi pensionimet, çka mund të jetë detyrë e tjetërkujt. Insistojmë, ndërkaq, te domosdoshmëria e zëvendësimit normal të brezave në FIN. Krahas dhe etikës institucionale që duhet të ketë ndaj profesoratit në FIN, veçanërisht atij në pension. Për mungesën e saj mund të gjykohet edhe nga faktet vijuese.

Profesorit Gj. I., ish-shef i departamentit të Inxh. Mjedisit, nga FIN iu premtua fillimisht se pas daljes në pension (më 1 tetor 2013) do të vazhdonte si pedagog i jashtëm në semestrin e parë - vjeshtë 2013. Por, pasi filluan leksionet, shefja e re e departamentit, me specialitet kimi - që u emërua si shefe nga UPT-ja në shtator - në mes të semestrit i komunikon atij  dy “urdhëra” të titullarit UPT:  ndërprerjen e menjëhershme nga leksionet, sepse “nuk ka orë mësimore në fakultet”; largimin nga zyra, “se s’ka mjedise”. Stafeta mësimore - leksione, seminare e gjithçka, në një lëndë fondamentale inxhinierike sikurse është “Mekanika e fluideve” -  i kaloi një pedagogeje të re, madje të sapo-futur në punë.

Ndoshta s’ka lidhje, por duket pak e “çuditshme” edhe mënyra se si u veprua për marrjen në punë  të kësaj pedagogeje. Ja sepse. Në shtator 2013 në një gazetë (“Republika”, 20.9.2013) publikohej një lajmërim një-ditor i UPT-së, ku shpallej i hapur “konkursi për personel akademik në disa fakultete” të tij. Midis të tjerëve, edhe për një vend në Inxhinierinë e Mjedisit: lektor në seksionin e Energjisë për lëndët “Transmetim nxehtësie” dhe “Energji e rinovueshme”. Ndërkohë, një konkurs për këtë vend  ishte bërë në verë, aty nga data 20 korrik 2013. Juria atëhere klasifikoi tre të parët në renditje, ku pedagogia e re që do të zëvendësonte më vonë prof GJ.Ikonomin ishte e treta. Mirëpo, për shkaqe të paqarta ai konkurs u anullua.

Ndërkohë, pas  anullimit, prej shefit të atëhershëm të departamentit të Inxhinierisë së Mjedisit dhe pjesëtar në jurinë e konkursit (GJ.I.) më 22 korrik 2013 në dekanatin FIN është përcjellë një shkresë ku ri-theksohej që kriteri bazë për vendin e ri të kërkuar nga ai departament duhet të ishte diploma në profilin “Energji” (dhe jo “Trajtimi i ujrave”, ku është diplomuar pedagogia e re). Thjesht sepse ishte profili “Energji” ai që kish nevojë për pedagog. Por, në muajin shtator kur pas anullimit të të parit u shpall “konkurs i ri”, pa dijeninë e shefit (akoma në detyrë) të departamentit - i cili nga 1 tetori 2013 do të nxirrej në pension - është hequr kriteri i mësipërm për profilin “Energji”: kandidati apo kandidatja tani nuk e kishte më të nevojshme të ishte e këtij profili, por thjesht të kishte mbaruar degën “Inxhinieri Mjedisi”, ku përfshihet edhe profili “Trajtimi i ujrave” i pedagoges së re.

Prej këtej, me vendimin e një jurie të ndryshme nga e para (tani pa prof. GJ.I.)  ajo doli e para në listë. Kështu dhe filloi punën në departament, duke zëvendësuar prof Gj.I. në mes të semestrit, sikur ky të kishte kryer ndonjë vepër penale. Fyerja për këtë profesor shkoi edhe përtej imagjinatës kur, pasi u përjashtua nga mësim-dhënia, i bëhet zyrtarisht ftesë për “t’i  uruar daljen në pension” në një mbrëmje dëfrimi e organizuar nga fakulteti.

Përsa i përket “befasisë” së pensionimit, si dhe mungesës së etikës – veçanërisht për mos-aktivizimin si pedagoge e jashtme - pak a shumë e njëjta gjë ka ndodhur edhe antaren tjetër të KP-së (prof L.Bozo), ish-përgjegjëse e seksionit të Gjeoteknikës dhe themeleve të ndërtesave në FIN.
Ndërkaq, lidhur me punësimin e pedagogëve të rinj, në FIN dëgjohen ankesa nga jo pak prej atyre që aspirojnë të punojnë aty. Për mungesën e informimit lidhur me zhvillimin e konkurseve dhe për zhgënjimin që pësojnë se nuk përzgjidhen ndonjëherë, ndonëse kanë treguesa të lartë në shumë aspekte: mesatare të larta notash, përvoja të gjata si pedagogë të jashtëm, etj.

****
Autoritetet e UPT-së që dalin shpesh jashtë shtetit e kanë parë, ndoshta më shumë se të tjerët, se si trajtohen profesorët në pension jo vetëm në vënde të përparuara si SHBA, Japoni, Gjermani, Francë etj, por dhe në ato të rajonit. Pa shkuar larg, por në Maqedoni psh, këta profesorë nxiten për t’u aktivizuar në leksione sa më shumë të jetë e mundur për ‘ta. Gjithashtu, në qendrat e tyre të punës ata kanë zyrat personale. Aty punojnë sa të duan e kur të duan dhe konsultojnë studentë, pedagogë e punonjës  shkencorë të rinj, drejtojnë diploma, mastera e doktorantë. Duke ndjerë respektin dhe mirënjohjen e të gjithëve, ashtu sikurse  ndodh dhe me profesorët e tjerë aktivë. Por, fatkeqësisht në FIN  ndodh ndryshe, fare ndryshe. Shëmbujt janë aty, disa flagrantë.

Do të përmendnim edhe një fakt tjetër sinjifikativ. Një kolegu dhe miku ynë i nderuar, prof Niko Lako - i mirënjohur në FIN dhe komunitetin e gjerë inxhinerik në Shqipëri si për vlerat e larta profesionale ashtu dhe nivelin  e  ngritur shkencor-mësimor - u nxuar gjithashtu në pension nga FIN-i në shtator 2013. Por aktualisht ai është i angazhuar si pedagog  në një institut të lartë  në SHBA.

Duke qënë të detyruar të tregojmë edhe këto përvoja të hidhura – pa synimin për t’i paraqitur ato si raste “viktimizimi” apo për t’i personalizuar - ne mendojmë se është në nderin e FIN-it që drejtuesit e tij të ri-vlerësojnë qendrimet e deri-tanishme ndaj profesorëve me titull. Së pari, të gjithë profesorët e pensionuar të  FIN-it, jo vetëm dy të sipërpërmendurit, duhen ftuar në fakultet si pedagogë të  jashtëm. Duke u siguruar aty edhe mjedise dinjitoze pune. Atyre duhet t’u  bëhet ftesë që të marrin pjesë aktivisht edhe në mbledhjet e Këshillit të Profesorëve të FIN-it, pavarësisht se ata mund të asistojnë aty sipas mundësive dhe pavarësisht se mund të mos kenë të drejtën e votës.

Këto, jo thjesht si shpërblim për kontributet mësimore e shkencore të dhëna në FIN, për departamentet dhe sektorët e rinj mësimorë-shkencorë që kanë ngritur, për lendët mësimore që kanë futur, për diplomat dhe doktoratat e shumta që kanë drejtuar, por së pari për nevojat e mëdha në profesoratin e kualifikuar mësim-dhënës e shkencore në fushën e Inxhinierisë së ndërtimit që ka aktualisht FIN-i.
 
NË VEND TË MBYLLJES
Paraqitjet e mësipërme nuk kanë  asnjë motiv apo interes personal. Po ashtu, përsërisim se mangësitë e vërejtura nuk kanë lidhje me dinamizmin dhe potencialet intelektuale që ka realisht aty. Por, ndërkaq, mendojmë se sfida për të përmirësuar gjendjen në FIN është e vështirë. Natyrisht, jo e pamundur, nëse do të ketë analizë, vlerësim e angazhim, me përfshirjen e kontribuesve pozitivë për shëndoshjen e gjendjes.

Padyshim edhe të studentëve dhe ish-studentëve të fakultetit. Duke qënë solidarë me vlerat reale, jo me ato fiktive, aq më pak me anti-vlerat. Pa mbuluar defektet, pa servilizma të padobishëm. Me qëllim që diploma shqiptare e Inxhinierisë së ndërtimit të bëhet me të vërtetë kredibël këtu dhe në nivel ndërkombëtar. Për ta kthyer FIN-in në diçka të çmuar për traditën e kulturës inxhinierike shqiptare. Që FIN-i të bëhet një qendër reference me performancë inxhinierike të kohës. Për të mirën e brezave të rinj dhe prosperitetit të vendit.

Duke pritur që për këto qëllime të kontribuojë shumë më tepër se deri tani edhe qeveria. E cila, shpresojmë, do ta vlerësojë realisht rëndësinë e ngritjes së domosdoshme të nivelit në FIN, duke patur parasysh edhe fjalët e mençura të Beniamin Franklinit, që thoshte: “Një vend nuk bëhet i pasur nga paratë, por nga dituritë politeknike”.
 
*) Autorët e shkrimit janë profesorë të Inxhinierisë së ndërtimit, me aktivitet të gjerë shkencor e mësimor, në vendin tonë e jashtë tij, autorë të shumë punimeve teorike dhe eksperimentale si dhe artikujve shkencorë, udhëheqës të një numri të madh diplomash e doktoraturash në fushat e Konstruksioneve ndërtimore, Hidraulikës dhe Inxhinierisë së mjedisit e, në total, autorë të më se 45  librave e teksteve universitarë.

Shkrimi u publikua në 4 dhe 5 shkurt në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)