PRISHTINE, 12 Shkurt/ATSH/-Organizata Ndërkombëtare e Migrimit (IOM) do të ndihmojë institucionet e Kosovës në procesin e kthimit nga vendet e Bashkimit Evropian të azilkërkuesve nga Kosova.
Këtë e ka bërë të ditur shefi i misionit të kësaj Organizate, Jorge Baca Vaughan duke shtuar se kjo do të arrihet përmes programeve të ndryshme që kanë të bëjnë me krijimin e vendeve të reja të punës, zhvillimin ekonomik, infrastrukturën, mbështetjen për komunitetet si dhe përmes programit për kthimin vullnetar të të gjithë qytetarëve të Kosovës që janë azilkërkues ne vendet e BE-së.
Ai, bashkë me Maria Manke, përfaqësuese e zyrës rajonale të IOM-it për Evropën Juglindore dhe Valon Halimi, i dërguar i kësaj organizate në zyrën e kryeministrit të Republikës së Kosovës, janë pritur nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.
Në këtë takim Presidentja ka vlerësuar rolin që ka IOM-i në ndihmë institucioneve vendore lokale dhe atyre qendrore për riintegrimin e të gjithë qytetarëve që do të kthehen.
Në një komunikatë për medie të Presidencës, Jahjaga citohet të ketë thënë se institucionet e Kosovës duhet të punojnë në garantimin e sundimit të ligjit, që do të mundësojë edhe zhvillimin ekonomik dhe, krahas kësaj, edhe kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e vendit./KosovaPress/ /a.g/