Grupi parlamentar i PD ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese mosmiratimin e komisionit hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë dhe administrimin e fondeve të programit IPARD II në bujqësi.
Në qëndrimin e saj, PD thotë se rrëzimi i kërkesës nga mazhoranca për komisionin hetimor vë në pikëpyetje nevojën e prezencës së opozitës dhe dëmton interesin publik. Gjithashtu shton se nëse opozita nuk kryen dot funksionet e saj në Kuvend, i mbetet të ketë vetëm një rol formal.
“Rrëzimi me votë politike të mazhorancës i një të drejte kushtetuese të opozitës, e bën rolin e deputetëve të saj në Kuvend, jo thjesht të papërfillshëm, por mbi të gjitha fasadë e një normaliteti të rremë që vret çdo ditë rregullat dhe standardet minimale të parlamentarizmit demokratik. Kjo ka vënë seriozisht në pikëpyetje nevojën e prezencës së opozitës në Kuvend, por nga ana tjetër dëmton interesin publik për shkak se deputetët nuk ushtrojnë dot përgjegjësitë dhe funksionet e tyre.
Nëse opozita nuk diskuton dot në Kuvend çështje që kanë interes për qytetarët, nëse nuk ushtron dot kontroll ndaj qeverisjes, nëse nuk shtyn dot përpara miratimin e ligjeve/amendamenteve në interes të qytetarëve, nëse nuk përfillet në të drejtat e saj që ia njeh Kushtetuta e Shqipërisë, atëherë roli i saj në Kuvend është thjesht formal duke mos përmbushur përgjegjësitë e veta në një shoqëri demokratike dhe duke dëmtuar kështu sistemin e kontrollit dhe balancës mes pushteteve, si garanci për funksionimin demokratik të shtetit shqiptar”, shprehet PD.
PD pretendon se i është cenuar e drejta kushtetuese për ngritjen e komisionit, ka mosmarrëveshje kompetencash mes një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit, si dhe nuk ka përpjekje nga mazhoranca në raport me objektin e hetimit (IPARD II).
“Është cenuar e drejta e pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor, e cila nuk mund të mohohet apo të kufizohet nëpërmjet vendimmarrjes së shumicës parlamentare. Ajo është një e drejtë kushtetuese që çon detyrimisht në ngritjen e komisionit
Shkaku i lindjes së mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit duhet kërkuar te mohimi, nga ky i fundit (Kuvendi), i kompetencës kushtetuese të pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor me argumentin jokushtetues;
Mazhoranca nuk ka bërë asnjë përpjekje dhe asnjë formulim alternativ në raport me objektin e hetimit”, thuhet në kërkesën e PD.
Si rrjedhojë, kërkon shqyrtimin sa më të shpejtë të kërkesës dhe deklarimin e vendimit si i papajtueshëm me Kushtetutën.
1. Pranimin e kësaj kërkese procedurale.
2. Shqyrtimin brenda një afati sa më të shpejtë dhe me përparësi të kërkesës së 1/4 së deputetëve për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet jo më pak se një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Deklarimin si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i vendimit nr. 12/2026 të Kuvendit të Shqipërisë.
PD i kërkon Gjykatës Kushtetuese që kërkesa të shqyrtohet bashkë me ankimin për dy komisionet e tjera që janë dërguar në Kushtetuese, ai për McGonigal dhe për zgjedhjet e 11 majit ose më vete sipas vlerësimit të Gjykatës.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Lajm në përditësim...
Komente









