Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka deklaruar se është në proces akreditimi të procedurave të reja dhe në pritje të përmbylljes së marrëveshjes së financimit me Komisionin Europian për programin IPARD III.

Fondet e IPARD u bllokuan para rreth 3 vitesh nga Brukseli pas dyshimeve për abuzime nga zyrtarët e institucioneve shqiptare.

IPARD III ka 9 masa në total dhe vlera e parave që pritet të përfitojnë fermerët shqiptar është 112 milionë euro. Ky program do të mbështesë fusha si infrastruktura rurale, ndërtim tregjesh, për Agro-përpunim apo Agro-turizëm, pylltari, asistencë teknike e këshillim.

Njoftimi i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural:

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural informon opinionin publik se IPARD III Programme nuk është hapur ende për aplikime, pasi programi aktualisht ndodhet në fazën e rishikimit të procedurave dhe finalizimit të procesit të akreditimit, si dhe të përmbylljes së marrëveshjes së financimit me Komisionin Evropian.

Ky proces përfshin verifikimin dhe forcimin e sistemeve të menaxhimit, kontrollit dhe monitorimit financiar, në përputhje me standardet dhe kërkesat e Bashkimit Europian, me qëllim garantimin e përdorimit transparent dhe efektiv të fondeve.

Institucionet përgjegjëse shqiptare, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e Komisionit Europian, po vijojnë punën teknike dhe administrative për përmbylljen sa më të shpejtë të procesit të akreditimit, duke synuar hapjen e programit për aplikime menjëherë pas përfundimit të këtyre procedurave.

Programi IPARD III për periudhën 2021–2027 përfaqëson një instrument të rëndësishëm financiar për mbështetjen e investimeve në bujqësi dhe zhvillimin rural, si dhe një hap të rëndësishëm në përgatitjen e Shqipërisë për administrimin e fondeve të European Union në kuadër të procesit të integrimit europian.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të informojë zyrtarisht publikun dhe subjektet e interesuara menjëherë sapo të përfundojë procesi i akreditimit dhe programi të hapet zyrtarisht për aplikime.


Lajmi kryesor:

Prej 3 vitesh të bllokuara, dritë jeshile për fondet e IPARD III nga Brukseli? Ministria e Bujqësisë: Presim përmbyllje të marrëveshjes së financimit