BAGDAD, 16 gusht /ATSH-AFP/ - Xhihadistët vranë dhjetëra persona, shumica e të cilëve nga minoriteti jazidi, në fshatin irakian të Kochos, në veri të vendit, njoftuan sot një dëshmitar dhe zyrtarë të ndryshëm, të cilët e konsideruan masakër veprimin e xhihadistëve. "Kanë kryer një masakër", deklaroi zyrtari i lartë irakian, Hoshyar Zebari, i cili bazohej mbi informacionet e ardhura nga shërbimet sekrete dhe burimet lokale. "Të paktën 80 persona kanë vdekur", shtoi ai. Një zyrtar kurd dha të njëjtin numër viktimash. Sipas të gjitha burimeve që përputhen, kjo masakër është kryer dje./ a.jor.