Kreu i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit kërcënoi të enjten me ndëshkim për ata që qëndrojnë pas përdhosjes së librit të shenjtë të Islamit, Kuranit, në Evropë.
"Sot, ne jemi rojtarët e Islamit dhe të Kuranit. Ne u themi atyre që dogjën Kuranin, ky zjarr do t'i kapë trupat tuaj dhe do t'i kthejë ato në kufoma," tha Hossein Salami. "Jetoni në fshehtësi nga sot dhe keni makthe çdo natë, muslimanët nuk do t'ju lënë edhe nëse kalojnë dekada," shtoi Salami.
Muajin e kaluar, një aktivist i ekstremit të djathtë nga Danimarka dogji një kopje të Kuranit jashtë ambasadës turke në Stokholm. Ditë më vonë, një udhëheqës holandez i lëvizjes së ekstremit të djathtë Pegida grisi faqet e një Kurani pranë parlamentit holandez.
Salami iu referua sulmit kundër romancierit Salman Rushdie në gusht, duke thënë se ata që përdhosën Kuranin duhet të presin një fat të ngjashëm. Komandanti bëri të njëjtën referencë muajin e kaluar në lidhje me stafin e gazetës satirike franceze Charlie Hebdo për botimin e karikaturave të liderit suprem iranian Ali Khamenei të konsideruara "fyese" nga Teherani.
Rushdie u godit me thikë më 12 gusht teksa po përgatitej të fliste në një ngjarje në perëndim të Nju Jorkut. Ai ishte përballur prej kohësh me kërcënime me vdekje për romanin e tij të katërt, "Vargjet Satanike", botuar në 1988. Në vitin 1989, Ruhollah Khomeini, udhëheqësi suprem i Iranit në atë kohë, shpalli një fetva, ose dekret fetar, që kërkonte vrasjen e Rushdie dhe kujtdo që ishte përfshirë në botimin e librit për blasfemi.