Presidenti amerikan Donald Trump “kishte deklaruar më parë se negociatat për programin bërthamor iranian ishin një nga kushtet kryesore dhe të domosdoshme për çdo marrëveshje. Megjithatë Irani nuk ka marrë asnjë angazhim dhe çështja bërthamore nuk është diskutuar aspak në këtë fazë”, raporton media iraniane Fars.

Sipas agjencisë së lidhur me Pasdaranët, “pretendimi i Trumpit se Ngushtica e Hormuzit do të kthehet në situatën e mëparshme nuk është i vërtetë” sepse “bazuar në tekstin e fundit të shkëmbyer, në rast të një marrëveshjeje të mundshme, Ngushtica e Hormuzit do të vazhdojë të jetë nën menaxhimin e Iranit.”

“Duhet theksuar se zyrtarët amerikanë kanë pranuar në mesazhe të ndryshme drejtuar Iranit se postimet e Trumpit kanë kryesisht qëllime promovuese dhe janë të destinuara për konsum mediatik brenda Shteteve të Bashkuara, dhe kanë rekomanduar të mos u kushtohet vëmendje këtyre deklaratave”, shton Fars.

Ndërkohë, Axios raportoi se sipas draftit të marrëveshjes, armëpushimi do të zgjatej për 60 ditë, periudhë gjatë së cilës Ngushtica e Hormuzit do të mbetej e hapur pa vendosje tarifash apo kufizimesh ndaj lundrimit tregtar. Irani gjithashtu do të angazhohej të heqë çdo minë të vendosur në këtë zonë detare për të garantuar lirinë e kalimit të anijeve.

Për Teheranin ende mungon dakordësia për disa pika dhe nëse SHBA vazhdon të krijojë pengesa do të jetë e vështirë të arrihet një marrëveshje përfundimtare. Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim citon burime sipas të cilave mungon ende marrëveshja për dy ose tre klauzola të protokollit midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Burimet po ashtu deklarojnë se nëse SHBA “vazhdojnë të krijojnë pengesa nuk do të ketë mundësi për një marrëveshje përfundimtare.”/Corriere della Sera

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:42
Marrëveshja me SHBA-të, presidenti i Iranit: Asnjë vendim nuk do të merret pa autorizimin e Khameneit

Asnjë vendim nuk do të merret pa autorizimin e Udhëheqësit Suprem, ajatollahut Mojtaba Khamenei. Kështu deklaroi presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, në lidhje me një marrëveshje të mundshme midis SHBA-ve dhe Iranit.

Agjencia iraniane e lajmeve, Fars, shtoi se Pezeshkian tha se “kur merret një vendim në fushën diplomatike, të gjitha institucionet, platformat dhe rrymat duhet ta mbështesin atë në mënyrë që bota të dëgjojë një zë të unifikuar dhe koheziv nga Irani.”