Sipas Agjensisë Iraniane të Lajmeve, Irani ka kapur një anije në Gjirin Persik, e dyshuar për kontrabandë nafte nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Rojet Revolucionare Iraniane, Pasdaran, thuhet se përgjuan një anije që transportonte 250,000 litra karburant.

"Anija me 11 anëtarë ekuipazhi, u zu rob në afërsi të ishullit të madh të TunbitIran në Gjirin Persik ... ekuipazhi iu dorëzua autoriteteve ligjore në provincën jugore të Hormozgan," tha ISNA.

Sipas burimeve iraniane, anija e kapur quhet 'Linch', me flamurin e Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa anëtarët e ekuipazhit ishin me kombësi filipine.

Sekuestrimi i anijes së dyshuar, vjen në një kohë kur SHBA kanë drejtuar gishtin drejt Iranit, si arkitekt i një sulmi me dronë që ka dëmtuar ndjeshëm strukturat e naftës në Arabinë Saudite.

Ky është konfiskimi i dytë i këtij lloji, pasi një anije e dyshuar për kontrabandë  karburanti u konfiskua në 7 shtator dhe 12 Filipinasit e ekuipazhit u arrestuan në ngushticën e Hormuzit.

Para disa muajve, Irani e ndaloi një anije të madhe britanike. Veprimi u cilësua si hakmarrje ndaj ndalimit të anijes iranianen në Ngushticën e Gjibraltarit nga forcat britanike.

Arabia Saudite po udhëheq një koalicion të madh,  në luftë kundër rebelëve Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen, luftë e cila ndonjëherë përshkruhet si një 'luftë me prokurë' midis Arabisë Saudite dhe Iranit.