Presidenti Donald Trump ka njoftuar mbrëmjen e sotme zgjatjen e armëpushimit me Iranin - që pritej të përfundonte në orët e para të 22 prillit - me kërkesë të Pakistanit, i cili shpreson të ndërmjetësojë një raund të ri bisedimesh mes SHBA-ve dhe Teheranit.

"Duke u bazuar në faktin se qeveria e Iranit është thellësisht e përçarë, siç nuk është e papritur, dhe me kërkesë të Field Marshal Asim Munir dhe Kryeministrit Shehbaz Sharif të Pakistanit, na është kërkuar të pezullojmë sulmin tonë ndaj Iranit derisa udhëheqësit dhe përfaqësuesit e tyre të paraqesin një propozim të unifikuar.

Për rrjedhojë, kam urdhëruar ushtrinë tonë të vazhdojë bllokadën dhe, në të gjitha aspektet e tjera, të mbetet e gatshme dhe e aftë, si dhe do të zgjas armëpushimin deri në momentin kur propozimi i tyre të dorëzohet dhe diskutimet të përfundojnë, në një mënyrë ose në një tjetër",- shkruan Trump.

Nga ana tjetër, mediat iraniane thonë se delegacioni negociator iranian i ka komunikuar palës amerikane, përmes një ndërmjetësi pakistanez, se nuk do të jetë i pranishëm në Islamabad të mërkurën dhe se, për momentin, nuk ka asnjë perspektivë për të marrë pjesë në negociata.

Më herët Trump tha se nëse bisedimet dështojnë ushtria është gati për të rifilluar luftën.

"Ata do të negociojnë, dhe nëse nuk e bëjnë, do të përballen me probleme të papara më parë. Shpresoj që të arrijnë një marrëveshje të drejtë dhe të rindërtojnë vendin e tyre, por kur ta bëjnë këtë, nuk do të kenë armë bërthamore. Nuk do të kenë qasje në një armë bërthamore dhe asnjë mundësi për ta pasur atë. Dhe ne nuk mund ta lejojmë që kjo të ndodhë. Kjo mund të nënkuptojë shkatërrimin e botës, dhe ne nuk do ta lejojmë", shtoi ndër të tjera Trump.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:13
Trump njofton zgjatjen e armëpushimit me Iranin: Presim propozimin e tyre për të përfunduar diskutimet

1776693215_donaldtrump.jpg

Presidenti Donald Trump tha se SHBA do ta zgjaste armëpushimin me Iranin derisa të paraqitet një propozim iranian dhe të përfundojnë diskutimet.

"Duke pasur parasysh natyrën jo të papritur, shumë të fragmentuar të qeverisë iraniane, dhe në përgjigje të kërkesës së Feldmarshal Asim Munir dhe Kryeministrit Shehbaz Sharif të Pakistanit, na është kërkuar të pezullojmë sulmin tonë ndaj Iranit derisa udhëheqësit dhe përfaqësuesit e tij të jenë në gjendje të formulojnë një propozim të unifikuar", njoftoi Trump në Truth Social.

"Prandaj, unë i kam udhëzuar Forcat tona të Armatosura të ruajnë bllokadën (e Ngushticës së Hormuzit) dhe përndryshe të mbeten të gatshme dhe operacionale; në përputhje me rrethanat, unë do ta zgjas armëpushimin derisa të paraqitet propozimi i tyre dhe të përfundojnë diskutimet, në një mënyrë ose në një tjetër", deklaroi presidenti i SHBA-së.

Ora 23:06
Mediat iraniane: Teherani ka vendosur të mos marrë pjesë në bisedimet e së mërkurës me SHBA-në në Islamabad

1775904666_islamabadtalks.JPG

Delegacioni negociues iranian e ka informuar homologun e tij amerikan, nëpërmjet një ndërmjetësi pakistanez, se nuk do të jetë i pranishëm në Islamabad të mërkurën dhe se aktualisht nuk ka asnjë perspektivë për të marrë pjesë në negociata.

Agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Tasnim e raportoi këtë, duke cituar burime që thanë se "në mesazhet e shkëmbyera ditët e fundit, SHBA-të nuk janë tërhequr nga kërkesat e tyre të tepërta" dhe "nuk është bërë asnjë përparim i rëndësishëm”.

Për këtë arsye, Irani njoftoi sot se e konsideron pjesëmarrjen në negociata një “humbje kohe" dhe "prandaj, nuk do të marrë pjesë".

Ora 18:50
Bisedimet me Iranin në Islamabad, AP: Zv.Presidenti amerikan Vance nuk është larguar ende nga Uashingtoni

1775970951_jdvance.jpg

Zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance është ende në Uashington, ku mori pjesë në disa takime dhe konsultime sot, raporton AP.

Vance ishte planifikuar të nisej për në Islamabad sot për raundin e dytë të bisedimeve me delegacionin negociues iranian.

Por mesa duket, zv.Presidenti amerikan ende nuk është nisur për në kryeqytetin e Pakistanit, ku pritet të mbahen bisedimet me Iranin.

Ora 18:46
Teherani për BBC: Dërgimi i delegacionit në Pakistan ende i papërcaktuar

Foto: Esmail Baghaei

Irani ende nuk ka marrë një vendim për dërgimin e një delegacioni në Islamabad për raundin e ri të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara, tha për BBC-në zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei.

Zëdhënësi shprehu shqetësim në lidhje me bllokadën detare amerikane të porteve të saj dhe sekuestrimin e një anijeje iraniane, si dhe kërcënimet e Presidentit Trump për të shkatërruar infrastrukturën iraniane.

"Ne iu afruam këtyre negociatave me mirëbesim dhe seriozisht, por pala tjetër ka treguar se nuk është serioze dhe nuk ka mirëbesim. Ata ndryshojnë vazhdimisht qëndrimet e tyre", tha Baghaei.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane nuk pranoi të jepte hollësi mbi kushtet që do të kërkonte Irani për t'u rikthyer në tryezën e negociatave dhe shtoi se çështja është ende në diskutim.

Ora 18:21
Pakistani: Jemi ende në pritje të konfirmimit nga Irani për të marrë pjesë në bisedime

1775590640_1750932370imgpakistan.webp

Foto: Flamuri i Pakistanit

Ministri pakistanez i Informacionit, Attaullah Tarar, tha se Islamabadi është ende në pritje të konfirmimit zyrtar nga Irani nëse do të marrë pjesë në bisedimet e ardhshme të paqes, ndërsa përpjekjet për të ruajtur armëpushimin e brishtë vazhdojnë.

Gjatë një deklarateTarar tha se Pakistani ka bërë "përpjekje të sinqerta" për të bindur udhëheqjen iraniane të bashkohet me raundin e dytë të negociatave dhe se përpjekjet diplomatike janë duke vazhduar.

Ora 17:50
Trump: Kemi kamera në çdo objekt bërthamor të Iranit

Foto: Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se Forca Hapësinore Amerikane po monitorojnë vazhdimisht tre objektet bërthamore në Iran që u goditën nga sulmet amerikane në qershor 2025, si pjesë e Operacionit ‘Midnight Hammer’.

Në një postim në Truth Social, Trump tha se Forcat Hapësinore “kanë kamera në çdo centimetër” të tre objekteve bërthamore iraniane që u shënjestruan nga Shtetet e Bashkuara gjatë Operacionit Midnight Hammer vitin e kaluar.

Presidenti amerikan gjithashtu pretendoi se sulmet “shkatërruan plotësisht vendet ku ndodhet uraniumi, deri në atë pikë sa Irani i etur për gjak nuk ka qenë në gjendje t’i qaset ose t’i gërmojë ato”.

Ora 17:38
Forcat amerikane zbarkojnë në një anije cisternë të dyshimtë, ushtarët zbresin nga helikopterët (VIDEO)

Pentagoni thotë se forcat amerikane hipën në një anije cisternë të sanksionuar gjatë natës në rajonin Indo-Paqësor në përpjekje për të "ndërprerë rrjetet e paligjshme" që mbështesin Iranin.

Në një postim në rrjetet sociale, Pentagoni tha se forcat amerikane “kryen një ndalim detar të ligjshëm” dhe hipën në anijen M/T Tifani “pa incidente”.

Njoftimi vjen disa orë para skadimit të një armëpushimi tashmë të brishtë midis SHBA-së dhe Iranit, ndërsa Pakistani përpiqet të ndërmjetësojë bisedimet midis Uashingtonit dhe Teheranit.

Të dhënat e gjurmimit të anijeve treguan se Tifani po transportonte naftë në Oqeanin Indian të martën midis Sri Lankës dhe Indonezisë. Pentagoni e përshkroi Tifani si "pa shtetësi" pavarësisht se ishte një anije me flamur të Botsvanës.

Ora 17:29
Pakistani mesazh për SHBA dhe Iranin: Zgjatni armëpushimin, diplomacia është e vetmja rrugë

1774869091_ishaqdar.webp

Foto: Ishaq Dar

Ministri i Jashtëm pakistanez, Ishaq Dar, u takua me të Ngarkuarën me Punë të SHBA-së në Islamabad, Natalie Baker.

Gjatë këtij takimi ai i kërkoi Uashingtonit dhe Teheranit të zgjasin armëpushimin dhe të ndjekin rrugën diplomatike si mjeti i vetëm i qëndrueshëm për të adresuar sfidat dhe për të arritur paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm rajonal.

Ora 14:58
Trump ngre akuza: Irani e ka shkelur shumë herë armëpushimin

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka akuzuar Iranin se e ka shkelur “shumë herë” marrëveshjen e armëpushimit.

Trump e ka postuar në Truth Social akuzën, por pa saktësuar se për çfarë po flet konkretisht.

Vlen të përmendet se Irani ka bërë akuza të ngjashme ndaj SHBA-ve. Të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmail Baghaei, ka thënë se sulmi amerikan dhe sekuestrimi i një anijeje mallrash në Gjirin Persik përbënin një shkelje të armëpushimit.

Ora 13:13
Komisionerja e BE-së: Lindja e Mesme është në flakë, Evropa duhet të flasë me një zë

1775824957_flamuriibe.jpg

Foto: Flamuri i BE-së

Komisionerja e BE-së për Menaxhimin e Krizave, Hadja Lahbib, në margjinat e Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së në Luksemburg tha se e gjithë Lindja e Mesme është në flakë dhe për këtë arsye duhet të gjehet një zgjedhje.

"Do t'i informoj ministrat për situatën humanitare. E gjithë Lindja e Mesme është në flakë, nga Libani në Iran, nga Gaza në Bregun Perëndimor. Prandaj, është përgjegjësia jonë e përbashkët të gjejmë një zgjidhje politike, të ushtrojmë presion diplomatik mbi të gjitha palët. Për këtë, shtetet anëtare duhet të flasin me një zë”, tha ajo.

Ndër të tjera Lahbib theksoi se nuk duhet të ketë më gjakderdhje dhe njerëz që detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre.

"Armëpushimi potencialisht po i vjen fundi; është koha të shohim diplomacinë në veprim. Na duhet një zgjidhje politike. Jo më luftë, jo më gjakderdhje, jo më shkolla dhe spitale të synuara, jo më njerëz të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre", shtoi ajo.

Ora 10:23
Forcat e Armatosura iraniane: Ne do t'i përgjigjemi me vendosmëri çdo veprimi armiqësor

Irani "është gati të përgjigjet menjëherë dhe me vendosmëri ndaj çdo veprimi armiqësor nga kundërshtarët e tij", tha gjeneralmajori Ali Abdollahi, komandant i Shtabit Qendror Khatam al-Anbiya, në një mesazh të postuar në Telegram dhe të transmetuar nga agjencitë kryesore të lajmeve iraniane ditën kur delegacionet nga Teherani dhe Uashingtoni pritet të mbërrijnë në Islamabad për të rifilluar negociatat.

Ushtria iraniane nuk do të lejojë që "presidenti amerikan gënjeshtar dhe iluzionist" të "krijojë rrëfime të rreme rreth situatës në terren", veçanërisht në lidhje me çështjen e kontrollit të Ngushticës së Hormuzit, shtoi Abdollahi në mesazhin e tij, duke argumentuar se forcat iraniane i kanë shtyrë Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara "drejt dëshpërimit dhe lodhjes, duke i detyruar ata të kërkojnë me dëshpërim një armëpushim".

Ora 10:09
Mediat iraniane: Cisterna e naftës e Teheranit kaloi nëpër Hormuz, pavarësisht bllokadës detare amerikane

1776542940_ngushticaehormuzit.JPG

Një cisternë iraniane nafte është kthyer në Iran përmes Ngushticës së Hormuzit, pavarësisht bllokadës amerikane, dhe pritet të arrijë në ishullin Kharg nesër, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim, e lidhur me Gardën Revolucionare. Cisterna ishte nisur nga Irani për në Arkipelagun Riau në Indonezi në fund të marsit, ku shkarkoi dy milionë fuçi naftë të papërpunuar.

Ora 10:06
Mediat: JD Vance do të mbërrijë në Pakistan të mërkurën për negociata me Iranin

Zëvendëspresidenti i SHBA-së J.D. Vance pritet të mbërrijë në Islamabad, kryeqytetin pakistanez, midis mëngjesit të vonë dhe pasdites së hershme sipas kohës lokale të mërkurën për bisedime me Iranin, raporton Al Jazeera, duke cituar burime pranë ndërmjetësve.

Ora 08:25
Trump: Irani të negociojë ose do të përballet me probleme që s’janë parë ndonjëherë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se është i bindur që Irani do të nisë negociatat, duke shtuar se përndryshe vendi “do të përballet me probleme serioze”.

Në një lidhje telefonike me programin radiofonik The John Fredericks Show, Trump tha: “Epo, ata do të negociojnë, dhe nëse nuk e bëjnë, do të përballen me probleme që nuk janë parë kurrë më parë”.

Trump shtoi se “shpresoj që të arrijnë një marrëveshje të drejtë dhe të rindërtojnë vendin e tyre, por kur ta bëjnë këtë nuk do të kenë armë bërthamore. Nuk do të kenë qasje në armë bërthamore, as ndonjë mundësi për t’i pasur ato. Dhe ne nuk mund ta lejojmë që kjo të ndodhë. Kjo mund të nënkuptojë shkatërrimin e botës, dhe ne nuk do ta lejojmë këtë”.