Irani vret dy të dyshuar në lidhje me sulmet në Kerman

Irani vret dy të dyshuar në lidhje me sulmet në Kerman

Disa njerëz qëndrojnë pranë makinave të shkatërruara pas një shpërthimi në Kerman. Iran, 3 janar 2024

Ministria iraniane e Inteligjencës tha se dy persona u vranë në një shkëmbim zjarri me forcat e sigurisë dhe disa të tjerë u arrestuan si të dyshuar për sulmet vdekjeprurëse në fillim të këtij muaji në Kerman.

Shteti Islamik (IS) mori përgjegjësinë më 4 janar për sulmin që vrau rreth 100 njerëz dhe plagosi 284 të tjerë, më 3 janar. Shpërthimet ndodhen gjatë shënimit të përvjetorit të ish-komandantit iranian, gjeneralit Qassem Soleimani, i cili ishte vrarë para katër vjetëve nga një sulm ajror amerikan.

Përmes një deklarate më 19 janar, ministria tha se dy të dyshuarit, pjesë e IS, të cilët i quajti "terroristë të huaj", u vranë në një shkëmbim zjarri me forcat iraniane derisa ata planifikonin një sulm të ri që synonte një qendër të zbatimit të ligjit në Kerman.

Ministria shtoi në deklaratë se një nga të arrestuarit ishte Mohammad Omran Tanveer, i njohur gjithashtu si "Abu Omran".

Sipas inteligjencës iraniane, Tanveer është i lidhur me Abdullah Taxhikin, për të cilin ministria ka thënë më parë se ishte arkitekti dhe mbështetësi kryesor i bombardimeve në Kerman.

Ministria tha se prej kur filloi kërkimet për kryesit e sulmeve, ajo ka arrestuar disa anëtarë të Shtetit Islamik të lidhur me Abdul Hakim Touhidi, një komandant i operacioneve terroriste të grupit, si dhe ka penguar një veprim të planifikuar terrorist pranë një faltoreje të shenjtë në periferi të Mashhadit.

Deklaratat e detajuara nga Ministria e Inteligjencës janë të pazakonta dhe pasojnë kritikat e shtuara ndaj organizatave të sigurisë të Republikës Islamike lidhur me shpërthimet - më të rëndat në Iran që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

Shpërthimet në Kerman kanë nxitur frikën se mund të zgjerohet konflikti në rajon, pasi Izraeli po e vazhdon luftën kundër Hamasit - grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, në Rripin e Gazës, dhe grupi rebel Huthi nga Jemeni - i lidhur me Iranin - po i vazhdon sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq.

Përvjetorët e vdekjes së Soleimanit edhe më parë kanë tërhequr turma të mëdha.

Në funeralin e Soleimanit më 2020 mijëra njerëz morën pjesë dhe shtypën njëri-tjetrin, duke lënë të vdekur 56 persona dhe të plagosur më shumë se 200 të tjerë.

Soleimani ishte arkitekt i aktiviteteve ushtarake rajonale të Iranit dhe konsiderohej si ikonë kombëtare në mesin e mbështetësve të teokracisë në Iran./REL

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vriten 5 gazetarë palestinezë në Gaza, po transmetonin live kur u goditën nga ushtria izraelite

Vriten 5 gazetarë palestinezë në Gaza, po transmetonin live kur u goditën nga ushtria izraelite