Irani është kombëtarja që ka kaluar më shumë peripeci për të marrë pjesë në Botëror, por duket se problemet nuk kanë të sosur. Vetëm pak ditë pasi ministri i sportit deklaroi që në rast se ka kore kundër Iranit në stadiume do të braktisin Botërorin, një tjetër ngjarje e ka shoqëruar këtë kombëtare, që po përgatitet në Meksikë.

Policia ka rrethuar një parking supermarketi ngjitur me qendrën e tyre stërvitore, pasi është gjetur një trup i pajetë në bagazhin e një makine.

Sipas asaj që bëjnë të ditur mediat lokale, makina Toyota, kishte rreth tre ditë e parkuar aty dhe njerëzit kishin filluar të dyshonin vetëm pasi pranë saj vinte një erë shumë e rëndë, duke bërë që një  patrullë policie të vendoste ta kontrollonte.

“Pas inspektimit të mjetit, ata gjetën një person të mbështjellë me një qese të zezë në bagazh, me shenja dhune”, theksoi zyra e prokurorit të Tihuana në një komunikatë për mediat duke treguar rrethanat e kësaj ngjarje të rëndë, ndërsa kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e saj dhe autorët.

Sa i përket Iranit kjo kombëtare nuk lejohet të qëndrojë më shumë se 1 ditë në Amerikë. Për këtë arsye kur të ketë ndeshje në Botëror do të spostohet atje vetëm për ditën e ndeshjes dhe më pas do të kthehet në Meksikë.