TIRANE - Reagon deputeti i PS Arben Isaraj, që s’është në garën elektorale të 23 qershorit kandidat. “Degjova Shpëtimin e Vlorës, si e kam dëgjuar dhe ditë më parë në takimet e bisedat e mija në Vlorë, në këtë situatë zgjedhore. I mirëkuptoj të gjithë, Shpëtimin, Edmondin, Lushin, Platonin, Memin, Mondin, Tekiun, Zaren, e qindra miq dhe shokë të Vlorës.

Ndaj për ta mbyllur diskutimin politiko-publik për mua dhe mbi mua dua t'ju them se: "Partinë time Socialiste, s’e kam parë kurrë si politikë biznesi e analize kosto-fitimi (po më dha e mbaj, po s’më dha e hedh). Partia ime Socialiste më “kreditoi” politikisht në përzgjedhjen, evidentimin dhe aktivitetin tim si në ekzekutiv ashtu edhe në legjislativ.

Trendi im i “përfitimit politik” në vite ndryshe nga shumë të tjerë “debitorë” preferencialë, s’më krijoi mundësinë e “shlyerjes” së shëndetshme politike të kësaj kredie”, tha Isaraj. Sipas tij, është e vërtetë që sot, ky trend i “përfitimit politik” është i ndërprerë. “Me apo pa të drejtë kjo s’ka më rëndësi për mua.

Ndaj Shpëtim dhe të gjithë, shokë e miq socialistë vlonjatë, unë me modesti kam thëne se: Dje, sot dhe nesër mbetem vetëm “kolateral” i PS, për atë që më ka dhënë e ende s’ja kam kthyer.

Po, Po. Jam thjeshtë, “Kolateral” i PS pa “barrë” a “hipotekë” morale, politike, ekonomike e aq më pak i varur nga politika e “patronazhit të posteve” që paskëtaj thonë se vijnë. Po, po.. sot kam një "kredi" politike të pakthyer dhe të jeni të bindur se kam për t'ia shlyer PS”, tha Isaraj.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 26.05.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)