Ish–efektivi i Policisë së Tiranës Roland Mete, i cili mbeti i plagosur në shkëmbimin e zjarrit në Rrugën e Kavajës në fillim të vitit 2015, i është drejtuar gjykatës së Tiranës me një padi civile ku kërkon dëmshpërblim financiar për 90 ditët e qëndrimit të tij në burg.

Padia civile është depozituar në 1 shkurt të këtij viti, duke kërkuar nga dega e Thesarit Tiranë dhe ministria e Financave kompesimin financiar për paraburgimin e padrejtë, duke ju referuar periudhës 8 janar 2015, që përkon me ditën e arrestimit dhe 7 prill 2015, që përkon me ditën e lirimit.

Ndaj ish-policit të Skuadrës së Vëzhgimit të Policisë së kryeqytetit, rëndonte akuza e vrasjes me dashje, në kapërcim të rrethanave të vetëmbrojtjes.

Mete u akuzua në se qëlloi për vdekje, shtetasin Artur Baze i cili hapi zjarr ndaj tavolinës ku ishte i ulur edhe polici Mete, ku si pasojë mbeti i plagosur në këmbë miku i ngushtë i Emiljano Shullazit personazhit të njohur të policisë, Pajtim Serjani.

Mirëpo pasi ka qëlluar ndaj Serjanit, Artur Baze ka ikur me vrap duke u fshehur në rrugicën “Him Kolli” por i është vënë nga pas polici Mete i cili ishte në të njëjtën tavolinë dhe pas një ndjekje disa qindra metra kanë shkëmbyer sërish zjarr me njëri – tjetrin ku vetë polici është plagosur në bark dhe ku më pas ky i fundit ka qëlluar për vdekje shtetasin Artur Baze.

Për këtë vrasje, Roland Mete u arrestua, por më pas akuzat ndaj tij u pushuan, dhe për pasojë ai tashmë kërkon në gjykatë dëmshpërblim financiar.
Thuajse në të njëjtin orar në vendin e quajtur “Qafë Kashar” është qëlluar me armë dhe Elimjano Shullazi dhe miku i tij Gilmando Dani.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)