Të gjitha këto hidhen në webin “Foreign Policy News” duke lënë të nënkuptohet qëllimisht se janë shkrime të prestigjiozes “Foreign Policy Magazine”, serioziteti i së cilës njihet botërisht.
Por, në portalin fantazëm (foreignpolicynews.org) loja është shtrirë përtej Adamit Dixhital, sepse në fakt aty ka edhe Peter Tase Dixhital, i dirigjuar nga Genci Muça, ish-ambasador në Turqi i emëruar nga Berisha në vitin 2013. Tase për Gencin flet me supërlativa duke e cilësuar si jetik rolin e tij në marrëdhëniet Shqipëri-Turqi. ”Roli i Gencit ka qenë edhe më jetik për raportet dypalëshe”’, shkruan Tase në shkrimet e tij.
Ndërkohë që për ‘amerikanin’ Peter Tase kanë shkruar mediat gjërë e gjatë se çfarë përfaqëson.
Por kush është Genci Muça, dje ambasadori, sot drejtor në drejtorinë e marrëdhënieve shumëpalëshe dhe dypalëshe në Kuvendin e Shqipërisë? Cila është e shkuara e tij në raport me ligjin?
Genci Muça sot është ”drejtor në drejtorinë e marrëdhënieve shumëpalëshe dhe dypalëshe në Kuvendin e Shqipërisë”
Pasi u emërua ambasador nga Berisha e Nishani, u kthye në Tiranë më 5 shkurt 2016, pasi ushtroi për 3 vjet këtë detyrë.
Genci Muca, pretendon që ka studiuar gjuhë angleze në Universitetin e Tiranës. Por siç shihet dhe në këtë foto, kjo diplomë e lëshuar nga një Universitet shqiptar mban flamurin anglez në krye të saj. Por nuk është ky në fakt problemi i ish-ambasadorit të Berishës, sot drejtor në Kuvend.
Sepse sipas burimeve të Lexo.al, Genci Haziz Muça nuk ka deklaruar asnjë vendim për dënime penale, masa sigurimi personale, urdhra kërkimi ndërkombëtarë, apo vendime dëbimi brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me rubrikat e formularit.
Burimet bëjnë me dije se ‘‘Genci Muçaj në cilësinë e subjektit deklarues, ka dorëzuar formularin e vetëdeklarimit në zbatim të ligjit 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, në të cilin pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se ai nuk ka deklaruar asnjë vendim për dënime penale, masa sigurimi personale, urdhra kërkimi ndërkombëtarë, apo vendime dëbimi brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me rubrikat e formularit.’‘
Por, pas një kërkese të bërë nga Departamenti i Administratës Publike për Prokurorinë e Përgjithshme, ku kërkohet verifikimi i detajuar i të dhënave të subjektit deklarues, z. Genci Hazis Muça me detyrë drejtor në drejtorinë e marrëdhënieve shumëpalëshe dhe dypalëshe në Kuvendin e Shqipërisë, prokuroria ka vepruar.
Pasi ka kërkuar dhe marrë informacionet nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Drejtoria e Përgjithshme të Gjendjes Civile, ka dalë në përfundimin se ”Nga përgjigjet e ardhura dhe verifikimet e kryera rezulton se për subjektin Genci Muçaj, ka një dënim penal të formës së prerë caktuar me vendimin nr. 493 datë 08.04.2008 të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, e pasqyruar dhe në dëshminë e gjendjes gjyqësore nr. 17 Prot. datë 03.10.2016. Subjekti është dënuar për veprën penale të parashikuar nga neni 187/1 i Kodit Penal, “Falsifikimi i dokumentave shkollorë”” dhe është dënuar 133.333 lekë gjobë.”
Sa më lart, Genci pra jo vetëm që nuk ka një diplomë të saktë, por nuk ka deklaruar as që ka qenë i dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata.
Kështu Berisha e ka emëruar ambasador dhe sot ai është drejtor. Genci që bën shërbime me Peter Tasen e Babë Dudë Karbunaras e Adamin Dixhital nëpërmjet portaleve fantazëm në gjuhë të huaj. Ku nëpërmjet shkrimeve nxijnë imazhin e Shqipërisë për interesa të ngushta politike./Lexo.al
(d.b/Shqiptarja.com)