TIRANË - Burime pranë Ministrisë së Financave bëjnë të ditur se pjesë e një dosjeje hetimore, në qendër të së cilës janë abuzime nga ish-ministri i Financave Ridvan Bode, që do t’i dërgohet Prokurorisë, do të jetë edhe koncesioni i pullave fiskale.

Kjo është një akuzë e re për Boden, pas kallëzimit penal për shpërdorim të fondeve buxhetore në rastin e kontraktimit të kredisë sindikale prej 230 milionë eurosh, me dëm 60 mln euro për shtetin, që u përdor për ndërtimin e rrugës së kombit.   
 
Koncesioni i pullave fiskale po rëndon biznesin, pasi iu ka rritur koston. Luan Bregasi, President i BiznesAlbania, e ka cilësuar këtë koncesion kriminal dhe korruptiv, i cili duhet të zhbëhet. Në një intervistë për median, Bregasi shpjegoi se sa është rritur kostoja nga pullat fiskale për sipërmarrjen shqiptare.
 
Sipas tij, abuzimi është kryer nëpërmjet shtimit në listën e akcizës të disa produkteve. "Dhe artikuj që në BE nuk pajisen me pullë janë futur në këtë skemë, kjo tregon që ky koncesion mban erë të mirëfilltë korruptive dhe është bërë për t’i shërbyer një grupimi të caktuar ekonomiko-politik, i cili në këto dy vite ka sjellë një dëm rreth 25 milionë euro.
 
Sipas tij, kostoja e pullës fiskale në Shqipëri është sa gati 10-fishi i pullave fiskale në vende të tjera të Bashkimit Europian dhe në Kosovë.
 
Biznesi i ka kërkuar qeverisë që të rishikojë koncesionin e pullave fiskale dhe të ulë koston për biznesin.  Kompania SICPA ka fituar koncesionin e pullave fiskale për një afat 10-vjeçar. Kontrata mes qeverisë dhe kompanisë SICPA është nënshkruar në janar 2011.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)