TIRANE - Ish-ministri i Perusë i kërkuar nga SHBA nën akuzën për grusht shteti në vendin e tij gjen oaz dhe zhvillon biznes në Shqipëri. Faktet e mbledhur në QKR tregojnë se Manuel Augusto Blacker Miller, është i regjistruar si aksioner në firmën “Apollonia Investments” me 80 % të aksioneve, kompani të përpunimit të mbetjeve dhe prodhimit të energjisë. Ortak në shoqërinë e ish-ministrit janë 2 italianë, me 10 % të aksioneve është Alberto Paladini dhe me 10 % shoqëria “IBS ITALIANA BUSINES SPORT". Në këtë shoqëri MIller është ortak nga shtatori 2012.

Edhe pse prokurori peruan antikorrupsion Julio Arbizu deklaron se Miller akuzohet për grusht shteti, Shqipëria nuk e arreston me pretendimin se s’kemi marrëveshje me Interpolin. Përmes një njoftimi për mediat, Policia e Shtetit ka deklaruar se nga strukturat policore të Policisë së Shtetit nuk është arrestuar ndonjë shtetas peruan me emrin Augusto Blacker Miller. Gjithashtu Policia e Shtetit ka bërë me dije se shtetasi Augusto Blacker Miller nuk rezulton si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Synimet e shoqërisë ku ish-ministri është aksioner janë “prodhim energjie termike dhe elektrike nga procesi i përpunimit të mbeturinave dhe substancave të tjera nëpërmjet ngritjes së infrastrukturës për këtë qëllim. Marrja me konçension e ndërtimit dhe operimit të objekteve të ndryshme. Ndërtim dhe zotërim të impianteve hidro-elektrike të prodhimit të energjisë elektrike, të tilla si hidrocentrale dhe termocentrale të të gjitha llojeve. Marrja në koncesion, ndërtimi dhe operimi i objekteve të mësipërme”.

Përmes një deklarate për mediat kompania Kompania "Apollonia Investments" e cila përfaqësohet nga ish-ministri i Jashtëm peruan Augusto Blacker Miller ka sqaruar biznesin që kjo kompani kryen në Shqipëri por në asnjë rresht nuk shkruhet asgjë në lidhje me arrestimin apo jo të ish-ministrit peruan.

Dje mediat peruane publikuan lajmin se ish-ministri i Jashtëm i Perusë gjatë regjimit të Alberto Fuxhimorit (1990/2000), Augusto Blacker Miller është arrestuar nga Interpoli në Shqipëri. Lajmi u publikua në web nga disa media peruane, të cilat citonin prokurorin peruan antikorrupsion Julio Arbizu, ndërsa policia shqiptare nuk e konfirmoi diçka të tillë, madje e mohon.

Sipas prokurorit, ish-ministri nuk mundi të dënohet në vendin e tij, pasi u arratis për t’i shpëtuar drejtësisë në vitin 2005. Më 2009 u kap në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ishte duke u përballur ende me një proces ekstradimi. Prokurori tha se Blacker Miller mund të ekstradohet nga Shqipëria për në SHBA, për shkelje të ndalimit të largimit nga vendi, që kishte vendosur shteti amerikan. Ndërkohë burime nga zyra e Interpolit në Shqipëri konfirmuan për televizionin A1Report se ky shtetas ende nuk është arrestuar ndërsa është kontaktuar me autoritetet Peruane, të cilat i kanë konfirmuar një urdhër kërkimi për Miller.



EKSTRAKTI NE QENDREN KOMBETARE TE REGJISTRIMIT TE BIZNESEVE