Partia Socialiste ka zyrtarizuar vendimin e saj për të mos i dhënë SPAK-ut autorizimin për arrestimin e Belinda Ballukut. Ish-ministrja e Infrastrukturës, tashmë e pandehur për pabarazi në tendera, sipas socialistëve nuk është më në gjendje të përsërisë veprën penale, pasi sot është vetëm deputete dhe kjo rrëzon një nga tri arsyet mbi të cilat bazohej kërkesa për arrestim. Socialistët vlerësojnë gjithashtu se nuk qëndrojnë as dy argumentet e tjera të paraqitura nga SPAK, përkatësisht se Balluku mund të manipulojë provat apo të tentojë të arratiset jashtë vendit. Duke theksuar se nuk është kompetencë e parlamentit të hyjë në thelbin e akuzave, socialistët shprehen se kërkesa e SPAK për të ndryshuar masën ekzistuese të sigurisë (nga bllokimi i pasaportës dhe pezullimi nga detyra në arrest) nuk justifikohet. Për këtë arsye, gjatë seancës të së enjtes, deputetët e shumicës do t’i konfirmojnë Belinda Ballukut imunitetin nga arrestimi. Kjo, natyrisht, nuk do ta pengojë SPAK-un të vazhdojë hetimet ndaj saj, veprim për të cilin në Shqipëri nuk kërkohet asnjë autorizim.
Personalisht kam sugjeruar që në ditën e parë kur Belinda Balluku u shpall e pandehur nga SPAK, që zëvendëskryeministrja duhet të kishte dhënë dorëheqjen. Në këtë mënyrë jo vetëm do të kishte shmangur vënien në siklet të gjithë shumicës socialiste, por mbi të gjitha do të kishte shmangur përshkallëzimin e përplasjes me SPAK-un, duke mos dhënë përshtypjen se po sfidonte kompetencat e tij. Sipas asaj që tregoi më pas Edi Rama, në fakt Belinda Balluku e paraqiti dorëheqjen, dhe madje e bëri këtë edhe dy herë të tjera më pas, por çdo herë u përball me refuzimin e kryeministrit. Por tani këto janë detaje që kanë pak rëndësi. Ajo që ka rëndësi është se Belinda Balluku ndodhet sot në atë gjendje lirie që personalisht ia kisha sugjeruar dhe uruar pothuajse katër muaj më parë: e lirë mbi të gjitha për të provuar pafajësinë e saj.
Megjithatë ky debat i gjatë politik dhe gjyqësor ka kapërcyer kufijtë e një historie personale, për t’u shndërruar në një moment rritjeje për vendin, sidomos në raportin mes politikës dhe drejtësisë. Dhe do të ishte një gabim i rëndë nëse nuk do të merreshin parasysh aspektet pozitive të saj vetëm për verbëri dhe urrejtje politike. Kërkesa për pezullimin nga detyra të ministres Balluku nxori në pah një boshllëk ligjor që ekspozonte çdo anëtar të ekzekutivit (por edhe figura të tjera jo të zgjedhur, si për shembull Presidentin e Republikës) ndaj rrezikut për t’u pezulluar nga detyra me iniciativë të një prokurorie. Imuniteti në fakt i mbronte ministrat nga arrestimi, por jo nga pezullimi, edhe pse në praktikë të dyja masat prodhonin të njëjtin efekt mbi funksionimin e shtetit. Sot, falë rastit Balluku, ky boshllëk ligjor është zgjidhur.
Duke konfirmuar vendimin politik dhe parlamentar për të mos dhënë autorizimin për arrestim, sot kryeministri Edi Rama ngriti një tjetër çështje që sipas meje është edhe më e rëndësishme për bashkëjetesën civile, por që fatkeqësisht duket se është harruar pothuajse plotësisht: parimin universal e prezumimit të pafajësisë që i takon çdo qytetari. Neni 30 i Kushtetutës së Shqipërisë përcakton se: “Kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë”. Ky parim natyrisht nuk vlen vetëm për Belinda Ballukun, por për çdo qytetar tjetër që, pa dashjen e tij, përfundon në rrjetat e drejtësisë apo në makinerinë e pamëshirshme të mediave. Pikërisht prezumimi i pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë është ai që e bën përdorimin masiv të paraburgimit, veçanërisht nga ana e SPAK, një “tepricë drejtësie”, të kritikuar edhe nga institucionet europiane, sepse rrezikon të fshehë abuzime. Dhe pikërisht përballë rrezikut të një abuzimi tjetër, Edi Rama sot i tha jo kërkesës për një tjetër paraburgim, atë të Belinda Ballukut: “JO me pëlqimin tonë”, tha ai duke goditur tavolinën me dorë.
Por prezumimi i pafajësisë për një qytetar nuk vlen vetëm kur duhet vendosur për arrestimin e tij. Ai vlen çdo herë që një deklaratë vë në dyshim integritetin moral dhe etik të një personi duke e akuzuar për diçka. A e marrin parasysh institucionet e drejtësisë këtë parim kur për shembull u dorëzojnë avokatëve ose më keq, drejtpërdrejt gazetarëve, akte në të cilat përmenden me emër dhe mbiemër persona apo kompani krejtësisht të pafajshme dhe të huaja me procesin, pa u mbledhur ndaj tyre asnjë provë? Nëse KLSH i mban të fshehtë me iniciale emrat e subjekteve për të cilat janë bërë verifikime, por që nuk janë ende objekt procesi, pse SPAK nuk bën të njëjtën gjë? A respektohet ky parim kur të pandehur dhe dëshmitarë thirren nga prokurorë dhe hetues përpara kamerave, të cilat lejohen (madje ftohen) të qendrojnë pak metra përpara kangjellave të SPAK?
Dhe më tej: a respektohet prezumimi i pafajësisë nga mediat? A është Autoriteti e mediave audiovizive (AMA), i thirrur të zbatojë kodin etik të transmetimeve ku ky parim është i detyrueshëm, në gjendje ta imponojë atë përmes sanksioneve pa frikë dhe pa dallime politike ndaj atyre operatorëve që e shkelin hapur dhe me vetëdije këtë parim? Sa herë shoqatat e gazetarëve i kanë bërë thirrje kategorisë sonë që të respektojë këtë vlerë kushtetuese, e cila nuk bie kurrë në kundërshtim me lirinë e informimit?
Të rikujtosh parimin kushtetues të prezumimit të pafajësisë është një revolucion për të gjithë ne që çdo ditë e shohim atë të shkelet, shpesh duke u bërë vetë viktima të tij. Por është një revolucion edhe për shoqërinë civile, e cila duhet të kërkojë me zë të lartë respektimin e tij. Tani që Edi Rama e ka bërë këtë në kontekstin solemn të një aktiviteti parlamentar, është thelbësore që i njëjti parim të fillojë më në fund të vlejë edhe përtej rastit të Belinda Ballukut. Prezumimi i pafajësisë duhet të bëhet slogani i ri i përditshmërisë sonë në jetën politike dhe institucionale, ashtu si edhe në punën e informacionit.
Pikërisht sepse jemi të bindur se të japësh shembull është mënyra më e mirë për të kërkuar që edhe të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë, duke filluar nga sot në fund të çdo artikulli të Shqiptarja.com që prek tema të drejtësisë do të publikojmë një shënim që rikujton këtë parim: ''Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë''. Është e njëjta fjali që gjendet edhe në fund të komunikatave për shtyp të SPAK: për fat të keq, megjithatë, në dokumentet zyrtare (shpesh të përdorura si shkop kundër kundërshtarëve politikë) ky parim harrohet. Ndërkohë, të prezumosh pafajësinë e kujtdo deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë, është një parim i shenjtë i qytetërimit.
Komente











