TIRANE-  Në ditën e 11 të grevës së urisë së ish të burgosurve politik, 2 prej tyre janë detyruar të lënë grevën për shkak të komplikacioneve shëndetësore, duke e çuar në 5 numrin e të larguarve nga greva. Dy grevistët Fatmir Loshi dhe Gazmend Shamiti janë dërguar në spital. Gjendja shëndetësore e dy grevistëve është rënduar pas 11 ditëve, duke mos i rezistuar grevës. Shëndeti i ish të përndjekurve grevistë po përkeqësohet dita ditës.

ISH TE BURGOSURIT POLITIK: PAS 11 TETORIT DO SURPRIZOJME QEVERINE, KEMI NJE PLAN B
Në ditën e 11-të të grevës së urisë, ish të burgosurit politik kërcënojnë se pas datës 11 tetor do të vënë në zbatim atë çka e cilësojnë plan B i cili premtojnë të jetë surprizë për qeverinë. Të ngujuar në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, ata kërkojnë solidaritet dhe mbështetje. Që prej ditës së nesërme grevistët do të protestojnë para ish selisë së tyre pranë Kuvendit. Dëmshpërblimi mbetet objektivi kryesor pa të cilin deklarojnë se nuk kanë ndërmend të tërhiqen.

“Do të shkojmë edhe drejt flijimit por nuk do të jetë mirë as për qeverinë. Ne nuk bëjmë negociata nëpër zyra. Qeveria të veprojë sa më shpejt, sepse ne kemi variantin B, që se di asnjeri. Pas datës 10, 11 do ti bëjnë mirë llogaritë me ne” thotë Gazment Hamiti i dënuar me agjitacion e propagandë.

“Çdo ditë do të ketë tubim masiv”- thotë kryetari i shoqatës Skënder Tufa. Ndonëse shumë personalitete kanë mbërritur në ambientet e grevës për të takuar ish të përndjekurit, ende nuk ka një shenjë nga qeveria.

PUBLICISTËT
Po dje një thirrje për qeverinë ndaj kësaj kategorie ka ardhur edhe nga publicistë dhe njerëz të njohur të medias. "Të shqetësuar nga gjendja shëndetësore e të burgosurve politikë të ngujuar në grevën e urisë, të cilët një nga një po përfundojnë në spital; të indinjuar nga injorimi i plotë që i kanë bërë autoritetet shtetërore kësaj greve urie; të zhgënjyer nga mënyra sesi janë trajtuar të burgosurit politikë nga të gjitha qeveritë e derisotme të Shqipërisë u bëjmë thirrje autoriteteve shtetërore që urgjentisht t'u ofrojnë grevistëve shërbim shëndetësor 24-orësh. I bëjmë thirrje Ministrisë së Financave që të zbatojë detyrimin ligjor për dhënien e dëmshpërblimit të burgosurve politikë, në kushtet kur pritet të futen në thesarin e shtetit të ardhura të paparashikuara nga privatizimet", - thuhet në letrën publike të nënshkruar nga Fatos Lubonja, Maks Velo, Alfred Peza, Skënder Minxhozi, Aleksandër Çipa, Beti Njuma, Mimoza Dervishi, Etleva Bisha, Andrea Stefani, Auron Tare, Ilir Hashorva, Delina Fico, Blerte Kraja, Diana Ndrenika dhe Eduard Zaloshnja.

(sg/shqiptarja.com)