TIRANE - Skema e dëmshpërblimeve për ish-të përndjekurit politikë, miratuar nga ish-qeveria Berisha në vitin 2007 ka pasur pabarazi në shpërndarjen e kësteve, ndaj ligji i ri që pritet të kalojë në Parlament, përcakton kritere të reja për të dënuarit politikë të regjimit komunist.
 
Përfituesit e parë të dëmshpërblimit do të jenë gratë dhe më tej të moshuarit mbi 75 vjeç, i ndjekur nga parimi i solidaritetit, përmes së cilit paguhen më herët ata që kanë vuajtur më shumë dënim. Zv/ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Mirela Sula prezantoi projektligjin në Komisionin e Ligjeve, ku tha se përmes tij parashikohen gjithsej 2,754 përfitues, 117 nga të cilët janë femra.
 
Ndryshimet në ligj pritet t’i japin zgjidhje dhe problematikës së mangësive në dokumentacionin e ish-të përndjekurve. Dëmshpërblehen edhe ata ish-të dënuar politik të cilët nuk e kanë dokumentacionin e rregullt, por që emri i tyre publikohet në faqen e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Ata gëzojnë të drejtën për ta marrë këstin në një fazë tjetër duke iu dhënë kohë deri në 3 vjet për t’i plotësuar ato.  Por rrezikojnë të përjashtohen nga dëmshpërblimi nëse nuk kontrollojnë portalin e ministrisë në pjesën ku publikohen emrat e përfituesve.
 
18 milionë euro dëmshpërblim është parashikuar t’i shpëndahet ish-të përndjekurve politikë për këtë vit. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)