Si e vlerësoni vendimin e qeverisë për dhënien e këstit për 545 ish të përndjekur politikë javën që vjen?
Vendimi i qeverisë për dhënien e një fondi të tillë prej 18 milionë dollarë është një hap përpara, sidomos shuma e shtuar në radhë të parë, krahasuar me vitet e mëparshme. Së dyti është ajo që është prezantuar dhe në publik, që financa e qeverisë së re ka qenë me 750 milionë euro mangut nga borxhet e padeklaruara. Duke patur parasysh këtë gjendje e shumën që është akorduar, mendojmë që është bërë diçka që deri më sot nuk e ka bërë asnjë qeverisje.
Janë marrë në konsideratë dhe sugjerimet tona që i kemi dërguar në ministrinë përkatëse, dhe ai kryeministrit që të merren në trajtim të veçantë ata persona që janë gjallë, për arsye se, që nga viti 2013 dhe këtej janë larguar nga jeta rreth 700 të ish të burgosur politikë. Sot aktualisht në Ministrinë e Financave janë dokumentet për 2100 ish të burgosur politikë që janë gjallë, ndër ta 108 të tillë janë mbi 85 vjeç, ndërsa 1160 janë 65-85 vjeç. Për këta persona, sipas deklarimeve të kryeministrit Edi Rama, është menduar të jepet gati gjysma e shumës se 18 milionë USD.
Çfarë prisni më tej nga qeveria e kryesuar nga Rama...?
Ne presim që të kontaktojmë me qeverinë, për t’i treguar dhe disa mënyra më efikase për zhdëmtimin e kësaj shtrese të vuajtur në diktaturë dhe që janë gjallë, në mënyrë të menjëhershme duke i bërë ata aksionerë në miniera, naftë, turizëm etj. Kjo metodë do të ishte shumë e dobishme si për përfituesit ashtu dhe për shtetin, për arsye se nuk do të cenohej më arka e shtetit. Përkundrazi, nga përfitimet anësore të rrugëve që përmendëm më lart, shteti do të kishte përfitime nga bashkëpunimi i të tretëve që mund të kemi ne, pasi ata ta shohin të arësyeshme se ne kemi një përkrahje dhe mbështetje për të realizuar këtë synim që kërkojmë ne të bëhet realitet.
Ministri i Mirëqenies dhe Rinisë, Erjon Veliaj deklaroi se brenda vitit 2015 përmes dhe ndryshimeve në ligj do të realizojë dhënien e dëmshpërblimit për mbi 2 mijë ish të burgosur që janë gjallë. Si e shihni këtë premtim, sa mendoni se është fatura për këtë...?
Shuma me përafërsi që mund të shkojë për likujdimin e plotë të ish të përndjekurve që janë gjallë, nuk e kalon shifrën e 50-60 milionë eurove. Flasim për 2100 të përndjekurit që janë gjallë. Ndërkohë që vendimi i qeverisë dhe premtimi i ministrit është një ndërhyrje efikase për ne, që na tregon se qeveria ka vëmendje reale dhe një dëshirë, që këtë shtresë ta integrojë, dhe nëpërmjet këtyre veprimeve ajo dëshmon se është një zë ndryshe, që sjell një risi reale në politikën shqiptare, në mendësinë e politikës shqiptare. Këtu kemi të bëjmë me një zhvillim politiko-social, i cili mendoj se i ka munguar për 23 vite këtij vendi.
Në të gjitha deklarimet tuaja gjithnjë keni qënë skeptikë në lidhje me qëndrimin e qeverive ndaj ish të përndjekurve. Pse?
Deri dje ish të përndjekurit kanë qenë skeptikë për arsye se jemi mashtruar për 23 vite me radhë. Dhe përsa kohë që fjalët nuk do të bëhen realitet ose mundësitë për të realizuar ato premtime do të mbeten në letër, ata gjithmonë do jenë mosbesues. Por në momentin që thëniet e qeverisë do të bëhen realitet, do të jenë të parët këta njerëz të cilët do deklarohen se: “Po, kemi të bëjmë me të vërtetë me një qeverisje të re, me një zë të ri, me një mendësi të re në qeverisjen e vendit”.
Ju do ta mbështesni qeverinë e drejtuar nga Rama...?
Ne do ta mbështesim totalisht këtë qeveri të drejtuar nga Edi Rama. Deri në këto momente qeverisja ka mbështetjen e këtyre njerëzve, të cilët e japin këtë mbështetje për besimin që kanë krijuar te ajo. Shpresojmë të mos kemi zhgënjim, por të kemi zhvillime pozitive.
Shkrimi u publikua sot (30.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com