TIRANE- Ish të përndjekurit politikë protestuan sot paradite para Kryesisë së Kuvendit. Në shenjë proteste për talljen që sipas tyre po i bën qeveria dhe Kuvendi kësaj shtrese sociale, ish të përndjekurit goditën me vezët fotot e Presidentit Bujar Nishani, Kryetares së Parlamentit Jozefina Topalli, kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Financave Ridvan Bode.

”Sot në këtë vend sundon diktatura neonaziste”- tha Skënder Tufa ish koordinatori i grevës së urisë që një grup të përndjekurish politikë mbajtën vitin e kaluar, dhe ku 2 ish të përndjekur i vunë flakën vetes. Njëri prej tyre, Lirak Bejko gjeti vdekjen.

Tufa bëri thirrje për protesta mbarëpopullore kundër Qeverisë. “Për këto të drejta janë sakrifkuar shokët tanë”- tha Tufa. Ata kërkojnë zbatimin e ligjit për dhënien e dëmshpërblimit për vitet e burgut.

Të pranishëm në protestë ishin dhe ish-pjesëtarë të grevës së urisë, të mbajtur në Komunën e Parisit në tetor të vitit të kaluar. Ata bënë me dije se protesta të tilla demokratike do te ketë edhe në vazhdim.

(sg/shqiptarja.com)