TIRANE - Bashkia e Tiranës ka përzgjedhur territorin e Uzinës së Ndërtimit të Automjeteve (“UPNA”- ish –Uzina e Autotraktorëve, Shkozë) pronë e saj, si zonën ku do të grupohen të gjithë lojrat e fatit që shtrihen në territorin e Bashkisë së Tiranës.

Ndërkaq, është propozuar në Këshillin Bashkiak vendosja e një takse të përkohshme për lojërat e fatit, e cila pritet të shqyrtohet në mbledhjen e datës 6 shtator, taksë e cila aplikohet për çdo sallë ku zhvillohet ky aktivitet.

Por, në projekt-vendim sanksionohet se per të gjithë subjektet që do të ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e Uzinës së Ndërrimit të Automjeteve (“UPNA” - ish –uzina e Autotraktorëve – Shkozë), nuk do të aplikohet taksa e përkohshme e lojrave të fatit.

Pas miratimit në Këshillin Bashkiak, ky vendim hyn në fuqi më datën 1 tetor 2012.

Aktualisht, sipas Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojrave të Fatit, në Bashkinë e Tiranës ushtrojnë aktivitet 20 kazino elektronike të licensuara, me 81 salla me kompjutera dhe makina elektronike, 7 subjekte të licensuara për baste sportive, me 801 pika shitjeje si dhe 10 bingo.

(Gre.M/Shqiptarja.com)