Ish zyrtarët e lartë të Partisë Demokratike, pas largimit nga pushteti kanë nisur të kërkojnë vende të reja puna. Dhe duket se profesioni i pedagogur është mjaft i pëlqyer. Në fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, që sot, nesër dhe pasnesër, zhvillon konkurset për marrjen në punë të 7 pedagogëve me kohë të plotë, listat janë të mbushura me ish zyrtarë të Lartë të Partisë Demokratike e deputetë aktualë të kësaj force politike.
Më konkretisht në departamentin e të drejtës Publike, në të cilin do të punësohen dy pedagogë, garojnë Artur Metani, këshilltar i ish-presidentit Bamir Topi, por edhe i Moisiut. Po ashtu në garë është edhe Glori Husi, i cili ka qenë këshilltar i ish-kryeministrit Berisha. Dosjen e ka dorëzuar edhe Lulzim Lelçaj, i cili ka mbajtur postin e drejtorit juridik te Kuvendi. Po ashtu, në garë është edhe Brikena Kasmi, zëvendësministre e Drejtësisë në kohën e PD-së, si dhe Asllan Dogjani, i cili në legjislaturën e kaluar ka qenë deputet i PS, por që pak para zgjedhjeve të 23 qershorit iu bashkua Partisë Demokratike, nën siglën e së cilës garoi edhe në këto zgjedhje, por mbeti jashtë parlamentit.
Po ashtu, tek e drejta publike është futur në garë edhe Arenca Trashani, deputete e Partisë Demokratike dhe ministre e Integrimit më 2005-2007. Ndërsa i fundit që ka aplikuar për vendin e pedagogut në këtë departament ka qenë Enkelejd Alibeaj, deputet i Partisë Demokratike dhe ministër i Drejtësisë më 2007-2009. Gara do të jetë e fortë edhe tek departamenti i të drejtës penale, ku emrat e njohur të Partisë Demokratike njohur që do të masin forcat me njëri-tjetrin për të fituar këtë vend pune do të jenë: Glori Husi, Lulzim Lelçaj, Asllan Dogjani dhe Enkelejd Alibeaj që do të kenë përballë edhe prokurorin e njohur Sokol Malaj. Ndërsa tek departamenti i të drejtës Civile, Glori Husi, Lulzim Lelçaj, Enkelejd Alibeaj do të kenë përballë edhe Endire Bushatin, e cila deri më tani ka mbajtur postin e kryetares së AMA-s, Autoriteti i Medias Audiovizive.
Siç edhe shikohet nga lista e kandidatëve që shoqëron këtë shkrim, pjesa më e madhe e tyre kanë preferuar që ta shënojnë emrin në të tre departamentet për të pasur më shumë mundësi për t’u renditur si fitues.
Dekani
Për dekanin e fakultetit të Drejtësisë, Altin Shegani, nuk kanë rëndësi fare emrat dhe bindjet e tyre politike. E rëndësishme për të është të respektohen kriteret e shpallura kohë më parë dhe të fitojë ai që është më i miri. “Ne e kemi të dokumentuar çdo gjë në lidhje me këtë proces, pasi nuk duam të kemi kontestime. Çdo departament ka ngritur një komision prej 5 personash, dy të rekomanduar nga departamenti, dy të rekomanduar nga dekani dhe një nga rektorati, të cilët janë ekspertët më të mirë të fushës, që do të intervistojnë secilin kandidat. Dekani nuk është pjesë e këtij procesi përzgjedhës. Për ne nuk ka rëndësi se kush janë emrat që do të garojnë, për ne ka rëndësi të zgjedhim më të mirin. Sigurisht, që fakti që garojnë kaq shumë emra të njohur, na bëjnë më të përgjegjshëm ndaj çdo detaji, në mënyrë që askush të mos ketë ankesa”, - na shpjegon dekani Shegani.
Shkrimi u publikua sot (09.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)