Ish-deputeti Azgan Haklaj është shprehur se nuk ka pasur kurrë një traktat miqësie mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Komentet Haklaj i bëri në studion e emisionit ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, ku tha se në momentin që ekziston ‘Çështja Çame’ dhe ‘Ligji i Luftës’ mes dy vendeve, nuk mund të ketë miqësi.
Më tej Haklaj rrëfeu disa nga krimet e kryera nga shteti grek kundër shqiptarëve të Çamërisë, me Traktatin e Lozanës, ku me mijëra shqiptarë myslimanë të Çamërisë u shpërngulën drejt Turqisë, në këmbim të mijëra ortodoksëve që ndodheshin në Turqi dhe që u shpërngulën në Greqi. Haklaj foli edhe për tragjedinë e vitit 1944 ku më mijëra shqiptarë të Çamërisë u masakruan dhe shumë të tjerë u përzunë nga tokat e tyre, për t’u kthyer drejt Shqipërisë.
“Përderisa ekziston Ligji i Luftës dhe Çështja Çame, si problem mes dy shteteve të NATO-s, nuk ka miqësi. Pra nëse Çështja Çame përjashtohet nga bisedimet, çfarë traktati miqësie është ky. Nuk quhet fare traktat miqësie. Jemi 103 vite pas Traktatit të Lozanës, ku mijëra shqiptarë nga Çamëria janë shpërngulur si myslimanë në drejtim të Turqisë dhe mijëra ortodoksë nga Turqia janë shpërngulur dhe kthyer në Greqi. Kemi pastaj në vitin 1944 tragjedinë e madhe, vrasjet masive të çamëve dhe shpërnguljet e dhunshme, siç kemi në 1938 shpërnguljet e dhunshme nga Kosova në drejtim të Turqisë. Tani që bota po shkundet, pasi ka një rend të ri botëror, të gjitha shtetet po bëjnë lobingje për të parë se ku ndodhen në këtë rend të ri botëror. Rama njëherë shkoi te Bordi i Paqes në SHBA, pastaj shkoi në Spanjë dhe më pas në Greqi. Rama të thotë ku është, në SHBA, Spanjë apo Greqi”, tha mes të tjerash Haklaj”, tha mes të tjerash Haklaj.
Lajmi kryesor:
Guri nga Athina: Ligji i Luftës dhe ‘Deti’ në tryezën e negociatave Greqi-Shqipëri, ka vullnet për zgjidhje! Haklaj: S'ka Traktat Miqësie, përderisa Çështja Çame përjashtohet nga bisedimet









