Eralda Spahillari, 19-vjeçarja që humbi jetën në aksidentin tragjik në Itali është përcjellë për në banesën e fundit. Rreth 500 veta morën pjesë në ceremoninë mortore për t'i dhënë lamtumirën e fundit të resë shqiptare.

Gjatë ceremonisë mortore, shokët e klasës i dhuruan familjes së saj një album me fotot më të bukura të realizuara ndër vite me të, ndërsa lëshuan në ajër edhe disa tullumbace të bardhë në nderim të saj. Ndërkohë, ditën e hënë do të përcillet për në banesën e fundit, 17-vjeçarja Barbara Brotto e cila po ashtu humbi jetën në aksidentin që ndodhi të shtunën e 4 marsit.

Ceremonia mortore u zhvillua në sallën sportive Ponte di Piave, turma e vogël u mblodh rreth arkivolit të bardhë të mbuluar me lule të bardha, përballë të gjithëve, prindërve të Eraldës dhe dy vëllezërve, Floria dhe Erindi.

I pranishëm ishte edhe babai i Mikele Tatanit, i dashuri i Eraldës, i cili drejtonte BMË-në, e cila u përplas me pemën. Arkivoli u transportua në gjimnazin e 19-vjeçares që edhe miqtë e saj t’i jepnin lamtumirën e fundit.

Aksidenti tragjik ndodhi më 4 mars në Trevisos. Shkak dyshohet shpejtësia e lartë, 140 km/h, gjë që ka bërë që drejtuesi i mjetit Mikele Tatani të humbte kontrollin. Katër të rinjtë po shkonin në një klub në zonën e Trevisos, por aksidenti tragjik u mori jetën dy vajzave, ndërsa dy të dashurit e tyre u plagosën rëndë.