Bolton, i cili tashmë është një kritik i njohur i presidentit amerikan, ishte paditur me 18 akuza për trajtimin e papërshtatshëm të materialeve të klasifikuara dhe fillimisht ishte deklaruar i pafajshëm.

Të premten, ai pranoi fajësinë për një akuzë të vetme për mbajtje të paligjshme të informacionit të klasifikuar. Dokumentet që ai kishte ruajtur përfshinin shënime ditari me informacione të mbrojtjes kombëtare, disa prej tyre të klasifikuara në nivelin "Top Secret" (tepër sekret).

Bolton rrezikon deri në pesë vjet burg, megjithëse marrëveshja për pranimin e fajësisë mund ta ndihmojë të shmangë dënimin me burg, raportojnë mediat amerikane.

Pasi gjykatësi lexoi në sallën e gjyqit akuzat ndaj Boltonit, përfshirë edhe dërgimin e shënimeve të ditarit me informacione të ndjeshme anëtarëve të familjes së tij, Bolton pranoi se akuzat ishin të sakta, sipas CBS News, partner i BBC-së në SHBA.

"Po, i nderuar gjykatës," u përgjigj Bolton kur u pyet nëse i kishte kryer veprimet për të cilat akuzohej. Ai shtoi se ishte "i penduar për këtë."

Bolton u shkarkua nga administrata e parë e Trump në vitin 2019. Në kujtimet e tij të botuara në vitin 2020, me titull "The Room Where It Happened", ai përshkroi përvojën e tij në Shtëpinë e Bardhë, duke e portretizuar Trumpin si një president me njohuri të kufizuara mbi gjeopolitikën.

Shtëpia e Bardhë ngriti një padi për të bllokuar botimin e librit, duke argumentuar se ai përmbante informacione të klasifikuara dhe nuk kishte kaluar procedurat e nevojshme të verifikimit. Një gjykatës e hodhi poshtë kërkesën dhe libri u botua pak ditë më vonë.

Më pas, Departamenti Amerikan i Drejtësisë hapi një hetim për të verifikuar nëse Bolton kishte keqmenaxhuar informacionet e klasifikuara duke i përfshirë ato në libër.

Ai u akuzua gjithashtu se kishte transmetuar një pjesë të materialeve të klasifikuara nga koha kur shërbente si këshilltar për sigurinë kombëtare te dy të afërm të tij.

Bolton ka vazhduar të kritikojë Trumpin edhe pas largimit nga administrata. Nga ana tjetër, Trump ka deklaruar se Bolton duhet të përfundojë në burg dhe e ka quajtur atë një "sleazebag", një term përçmues që nënkupton një person të pandershëm dhe pa integritet.

Aktakuza zbulon se në një moment një haker arriti të hynte në llogarinë e Boltonit, ku ruheshin dokumentet, dhe i dërgoi një mesazh kërcënues, duke paralajmëruar se do të shkaktonte "skandalin më të madh që nga publikimi i email-eve të Hillary Clinton."

Padia ndaj Boltonit erdhi pas proceseve të tjera penale të profilit të lartë kundër kritikëve të Trumpit, përfshirë ish-drejtorin e FBI-së, James Comey, dhe prokuroren e përgjithshme të Nju Jorkut, Letitia James.

Megjithatë, ish-prokurorë federalë dhe ekspertë të tjerë ligjorë i thanë BBC-së se rasti i Boltonit dallon nga çështjet e tjera për shkak të provave të mbledhura nga prokurorët.

"Ambasadori ka pranuar atë që ka bërë," tha për BBC një burim i njohur me marrëveshjen e pranimit të fajësisë.

Sipas të njëjtit burim, Bolton e kuptoi se nëse do të vazhdonte ta luftonte çështjen në gjykatë, "informacione të tjera të klasifikuara mund të bëheshin publike në mbrojtje të tij", gjë që ai nuk dëshironte ta lejonte, për të mos "dëmtuar" Shtetet e Bashkuara.

Vendimi për të ngritur akuza ndaj një zyrtari kaq të lartë për keqmenaxhimin e dokumenteve të klasifikuara është "i rrallë", por jo i paprecedentë, tha Carrie Cordero, studiuese e lartë në Center for a New American Security.

"Rastet që përfshijnë informacione të klasifikuara janë të vështira për t'u ndjekur penalisht, por ato janë ngritur herë pas here si ndaj zyrtarëve të niveleve të ulëta, ashtu edhe ndaj atyre të niveleve më të larta", u shpreh ajo.

Përpara se t'i bashkohej administratës Trump, Bolton shërbeu si ambasador i Shteteve të Bashkuara në OKB gjatë presidencës së George W. Bush. Ai ishte gjithashtu mes ish-zyrtarëve kritikë ndaj Trumpit të cilëve iu hoq mbrojtja e Shërbimit Sekret në muajin janar.

BBC