Ka tre skenarë për të kuptuar se si mund të përfundojë lufta në Iran: “fusha e betejës, manovrat e diplomacisë, dhe hapësirat për një marrëveshje jo të qartë”. Kjo është analiza e Charles Kupchan, 68 vjeç, ish-këshilltar i Barack Obama dhe profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Georgetown.
Pas fjalimit të Donald Trump, çfarë zhvillimesh duhet të presim në luftën në Iran?
“Ndërhyrja e Trump ishte shumë e pritur, por në fund nuk iu përgjigj pyetjeve thelbësore, duke nisur nga kohëzgjatja e mundshme e luftës. Ishte ajo që në anglisht quajmë një ‘no burger’.”
Vetëm fjalë boshe?
“Vetëm fjalë. Mbështetja e opinionit publik për sulmin ndaj Iranit ishte e ulët që në fillim dhe tani po vazhdon të bjerë, qoftë edhe sepse ndërkohë çmimi i një galloni benzine (3.785 litra) ka kaluar katër dollarë. Gjithsesi, mendoj se lufta do të zhvillohet në tre nivele. I pari, sigurisht, varet nga ajo që do të ndodhë në fushën e betejës. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë goditur më shumë se një mijë objektiva, megjithatë kapaciteti i Iranit për kundërpërgjigje nuk është eliminuar. Është e vërtetë që numri i raketave dhe dronëve të lëshuar nga Teherani është ulur, por nuk është zvogëluar aftësia për të goditur objektiva me vlerë të lartë. Përkundrazi, duket se iranianët kanë përmirësuar përzgjedhjen e objektivave dhe për këtë arsye mendoj se do të vazhdohet kështu, me sulme nga të dyja palët.”
Trump kërcënon të rrisë intensitetin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike...
“Është një mundësi që duhet marrë parasysh. Në atë pikë do të kishte një përshkallëzim të rrezikshëm, sepse Irani do të merrte në shënjestër impiantet e desalinizimit në Gjirin Persik dhe objekte të tjera.”
Disa vende janë ofruar të ndërmjetësojnë. A është kjo një rrugë e mundshme?
“Ky është niveli i dytë: diplomacia. Ka shkëmbime mesazhesh mes Teheranit dhe Uashingtonit, edhe pse nuk e dimë nëse janë të drejtpërdrejta apo të tërthorta. Logjika sugjeron që të dyja palët kanë interes të kërkojnë një dalje diplomatike.”
Shumë do të varet nga mënyra se si do të përfundojë lufta: do të ketë një marrëveshje apo thjesht Trump do të shpallë fitore dhe do të ndalë bombardimet?
“Sigurisht, dhe këtu jemi te niveli i tretë i analizës. Nuk do të jetë vetëm çështje e pastrimit të rrënojave dhe rindërtimit të infrastrukturës. Mund të arrijmë në një armëpushim ose në një paqe me shumë elementë të paqartë. Irani mund të jetë ende në gjendje të kërcënojë lundrimin në Ngushticën e Hormuzit, ose fluksi i cisternave të naftës mund të vazhdojë me ritëm të ngadaltë. Është një problem që komuniteti ndërkombëtar tashmë po e shqyrton.”
Po, ekziston koalicioni i promovuar nga Mbretëria e Bashkuar. A është një iniciativë e mjaftueshme?
“Vetëm nëse do të nisë pas një zgjidhjeje diplomatike të luftës. Ai ngushticë është jashtëzakonisht e vështirë për t’u kontrolluar. Iranianët mund të godasin lehtësisht anijet nga bregu, të lëshojnë dronë ose të vendosin mina në ujëra. Nga ana tjetër, besoj se përpjekja për ta rihapur Ngushticën me forcë ushtarake është një mision shumë i komplikuar, ndoshta përtej kapaciteteve edhe të një flote të madhe ushtarake.”
Në sfond janë tensionet gjithnjë e më të ashpra mes Trump dhe aleatëve europianë. A do ta lërë presidenti amerikan NATO-n?
“Më duket se europianët po e humbasin durimin ndaj Trump. Pika e kthesës, ndoshta, u arrit me kërcënimin e tij për të pushtuar Groenlandën. Pastaj erdhi lufta me Iranin, me ndikimin e saj në ekonominë globale. Mesazhi i presidentit amerikan është në thelb ky: unë e shkatërroj gjithçka dhe ju pastroni rrëmujën. Duke thënë këtë, europianët bëjnë mirë që i marrin seriozisht kërcënimet e Trump. Por në fund nuk besoj se Shtetet e Bashkuara do ta lënë NATO-n. Qëndrimi në Aleancë është gjithashtu në interesin e tyre. Dhe këtë e tregojnë edhe sulmet ndaj Iranit: bombarduesit amerikanë kanë përdorur gjerësisht bazat europiane.”/ Corriere della Sera
Komente








