Besim Hajdarmataj është prokurori i 13-të që aplikon për anëtar të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Ish-kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka dorëzuar sot aplikimin pranë KLP-së. Aplikimi i Hajdarmatajt vjen një ditë përpara se të skadojë afati ligjor. Një ditë më parë pjesë e garës u bë një tjetër prokuror i Krimeve të Rënda, Behar Dibra. Struktura e Posaçme Antikorrupsion do ketë në përbërje 15 anëtarë, por sipas ligjit ajo bëhet funksionale edhe me 10 prokurorë. Po një ditë më parë ishte ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca i cili inkurajoi prokurorët që të aplikojnë për SPAK përpara datës 7 shkurt (Lexo këtu). 

Sipas Kushtetutës së ndryshuar dhe ligjit për organet e reja anti-korrupsion, Prokuroria e Posaçme ka në kompetencë vetëm veprat penale të korrupsionit si dhe çdo akuzë ndaj penale kundër Presidentit të Republikës dhe ish-presidentëve, Kryetarit të Kuvendit dhe ish-krerëve të Kuvendit, kryeministrit dhe ish-kryeministrave, ministrave dhe ish-ministrave, anëtarëve dhe ish-anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, anëtarëve dhe ish-anëtarëve të Gjykatës së Lartë, prokurorit të Përgjithshëm dhe ish-kryeprokurorit, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, deputetëve dhe ish-deputetëve, kryetarëve të bashkive dhe ish-kryebashkiakëve, zëvendësministrave dhe ish-zëvendësministrave, anëtarëve të KLP dhe KLGJ, drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj. Ngritja e Prokurorisë së Posaçme do t’i hapë rrugë edhe formimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila do të funksionojë dhe veprojë nën varësi dhe për llogari të Prokurorisë së Posaçme. 

13 prokurorët kandidatë për në SPAK

Besim Hajdarmataj

Behar Dibra

Arben Kraja 

Vladimir Mara 

Dritan Prençi 

Klodian Braho 

Besnik Muçi 

Anton Martini 

Eneid Nakuçi 

Edvin Kondili 

Anton Martini 

Eugen Beci

Dolorez Musabelliu