TIRANË- Ish kreu i bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme. 4 orë ka zgjatur dëshmia e tij në SPAK, ndërsa në dalje të Prokurorisë së Posaçme Roshi tha se nuk mund të flasë për shkak të hetimeve. 

Thirrja e Roshit në SPAK mund të ketë lidhje me një kallëzim të Këshillit të Lartë të Shtetit, gjatë auditit të vitit 2013-2014, në kohën kur kreu i bashkisë së Kavajës ishte Roshi.

Në këtë auditim, u gjetën disa parregullsi në fushën e Urbanistikës dhe prokurimeve të fondeve publike me dëm ekonomik në vlerën 33 milion lekë.  Më herët Gjykata e Durrësit kishte pushuar procedimin penal ndaj ish-kryebashkiakut socialist. 

Megjithatë Gjykata e Posaçme ka marrë vendimin që dosja e ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, i akuzuar për shpërdorim detyre, t’i kalojë Prokurorisë së Posaçme.