Ish-kryetari i Bashkisë së Bogotës në Kolumbi, Enrique Peñalosa, ka shkruar lidhur me mbajtjen në paraburgim prej më shumë se një viti të kryebashkiakut Erion Veliaj, ndërsa Gjykata e Posaçme kaloi për gjykim dosjen e tij afro 2 muaj më parë.

Përmes një postimi në platformën “X”, ish-kryebashkiaku që qeverisi kryeqytetin e Kolumbisë për 2 mandate, shkruan se mbajtja e Veliajt në paraburgim “për më shumë se një vit nuk është një shenjë e mirë për gjyqin që më në fund ka nisur”.

Ndërsa thekson se Tirana është transformuar nën drejtimin e Veliajt, Peñalosa deklaron se “shumë sy nga e gjithë bota do të jenë të përqendruar te ky proces, me shpresën që drejtësia të vihet në vend”.

Postimi i plotë i Enrique Peñalosa:

Shpresoj që gjyqi ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të jetë i drejtë. Mbajtja e tij në paraburgim për më shumë se një vit nuk është një shenjë e mirë për gjyqin që më në fund ka nisur. Gjithçka që di është se, gjatë gati 10 viteve, ai ka bërë përmirësime të jashtëzakonshme në qytetin e tij dhe ka qenë një lider i rëndësishëm ndërkombëtar në fushën urbane. Shumë sy nga e gjithë bota do të jenë të përqendruar te ky proces, me shpresën që drejtësia të vihet në vend.