Mungesa e avokatit të njërit prej 30 të pandehurve në dosjen ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj e shtyu për shtatë ditë seancën e kaluar në GJKKO. Duke e vlerësuar si të qëllimshme këtë mungesë trupi gjykues vendosi ndëshkim, duke pezulluar afatet e paraburgimit. Por i vetmi që është në burg nga të gjithë të pandehurit është vetë Erion Veliaj, i kishte sjellë në gjyq avokatin e tij.

E ngjashme ishte edhe situata me ish Presidentin Ilir Meta. Mungesa e avokatit të Monika Kryemadhit në seancë bëri që GJKKO të ndëshkonte me pezullim paraburgimi vetë Metën, i vetmi në burg, ndërkohë që edhe ai ishte vetë në seancë së bashku me mbrojtësin ligjor.

Ky fenomen i ndëshkimit kolektiv, në rast të abuzimit të njërit prej të pandehurve, ka shqetësuar jo pak edhe profesionistë të ligjit. Gjykata e justifikon vendimin me nenin 265 të Kodit të Procedurës Penale dhe me argumentimin se ‘plani’ për zvarritje të procesit mund të jetë në bashkëpunim.

Rekordin e zvarritjes deri tani e mban procesi ndaj Emiljano Shullazit dhe të tjerëve të akuzuar për vrasjen e Vajdin Lames dhe Dorjan Saliut, i cili nisi në shkurt të vitit 2022 dhe ende nuk ka përfunduar. Për avokatët praktika e ndëshkimit kolektiv duhet të ndryshojë. Sipas tyre, afatet e paraburgimit duhet të pezullohen vetëm për atë të pandehur që shkakton dështimin e seancës, dhe jo për të gjithë.

"Duke marrë në konsideratë që dënimi është me karakter individual, dhe masa e pezullimit është me karakter individual. Ai që nuk shkon në gjyq, qoftë avokati, apo i pandehuri që mund ta ketë lëvizje taktike, në përjashtim të rasteve, gjendje e jashtëzakonshme, sëmundje, udhëtime jashtë shtetit etj., por në rastin konkret paraburgimi duhet të pezullohet vetëm për atë person, i cili nuk ka paraqitur asnjë shkak para gjykatës për shtyrje seance”,- thotë avokati Sajmir Vishaj.

“Një avokat, një i pandehur që tregon respekt për procesin gjyqësor, nuk mundet t’i pezullohet afatet e paraburgimit për shkak se një i bashkëpandehur tjetër nuk vijnë në seancë, ose një përfaqësues ligjor i një bashkëtëpandehuri tjetër nuk ka paraqitur një shkak të arsyeshëm ligjor për shtyrjen e seancës”,- thotë avokati Erjon Kullolli.

Megjithëse mbrojtësit ligjorë pranojnë se në disa raste ka abuzime me shtyrjen e seancave, ata theksojnë se pezullimi kolektiv i afateve, edhe për ata që paraqiten rregullisht, përbën shkelje të të drejtave të njeriut.

Gjykata Kushtetuese mund ta ketë rrëzuar. Duhet bërë një ndryshim i ri nga Kuvendi i Shqipërisë me propozim nga gjithë shoqatat, apo gjithë subjektet e sistemit të drejtësisë”,- thotë Visha.

“Në vlerësimin tim kjo dispozitë, më saktë paragrafi i dytë i këtij neni duhet të ndryshojë, sepse nuk mundet që mosprezenca e një të pandehuri ose mosprezenca e përfaqësuesit të një të pandehuri, të përbëjë shkak që të penalizohen dhe bashkëtëpandehurit e tjerë”,- thotë Kullolli.

Çështja u ngrit edhe në Gjykatën Kushtetuese nga gjyqtari i Apelit të GJKKO-së, Florian Kalaja, i cili kërkoi anti kushtetuetshmëri të nenit 265 të Kodit të Procedurës.

Sipas argumenteve të paraqitura nga Kalaja, pezullimi i afateve të paraburgimit në mënyrë kolektive bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që garanton se kufizimi i lirisë duhet të jetë i arsyetuar dhe individual për çdo person.

Sipas mbrojtësve por edhe gjyqtarit të Apelit të GJKKO-së kjo krijon një situatë të padrejtë, pasi përgjegjësia procedurale bëhet kolektive dhe jo individuale.

Por Gjykata Kushtetuese nuk e shqyrtoi në themel kërkesën, duke dhënë vendim për moskalimi për shqyrtim.