Për ish-ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani, rrëzimi i akuzave penale për trafik e korrupsion ndaj ish-ministrin të Brendshëm, Saimir Tahiri ishte i pritshëm.
Edhe dënimi i gjykatës për Tahirin, ku dha 5 vite burg për shpërdorim detyre(e konvertuar në shërbim prove), Manjani e konsideron si një vepër penale llastik me origjinë bolshevike.
Sipas Manjanit askush nuk mund të arrestohet e dënohet pa prova, ndërsa shton se edhe akuza e shpërdorimit të detyrës do të bjerë nga Gjykata e Apelit.
Askush nuk mund të dënohet ligjërisht për motive politike, shprehet Manjani, duke shtuar se nuk janë politikanë ata që urdhërojnë dhe urojnë burgosjen e kundërshtarit, vetëm pse është kundërshtar.
“Publiku duhet të kuptojë se nuk është gjykatës i akuzave juridike, por pronar i votës. Pra politikanin ka në dorë të mos e votojë dhe jo ta gjykojë juridikisht si në kohë të Enverit. Gjyqet popullore janë sjellje diktatoriale.”, -shkruan Manjani në profilin e tij në Facebook.
Ish-ministri i LSI-së bën thirrje që nga sistemi i drejtësisë duhen shkulur praktika inkuizitore që na kanë mbetur nga ndikimi i jurisprudencës bolshevike, në sistemin e hetimit e të gjykimit.
Statusi i plotë i Ylli Manjanit:
Nuk kisha asnjë dyshim që akuza penale për trafik e korrupsion, ashtu siç u stis do binte turpshëm.
Shpërdorimi i detyrës është një vepër penale llastik me origjinë bolshevike, por edhe ajo akuzë e dënim jam i sigurtë që do bjerë në Apel.
Sajmir Tahiri si person ta gëzojë pafajësinë!
Unë mendoj se ka triumfuar parimi mbi individin. Askush nuk mund të arrestohet e dënohet pa prova!
Por, ky parim duhet të zbatohet për të gjithë njësoj.
Politika duhet të kuptojë njëherë e mirë se kundërshtari nuk mund të dënohet ligjërisht për motive politike. U shoftë ajo politikë që urdhëron apo uron burgosjen e kundërshtarit, vetëm pse është kundërshtar! Ca më keq akoma, ajo politikë që i bën njerëzit kokë turku, duhet shkulur megjith rrënjë...
Publiku duhet të kuptojë se nuk është gjykatës i akuzave juridike, por pronar i votës. Pra politikanin ka në dorë të mos e votojë dhe jo ta gjykojë juridikisht si në kohë të Enverit. Gjyqet popullore janë sjellje diktatoriale.
Të gjithë ata që na hapën barkun me "drejtësinë e ambasadave", duhet të qepin gojët dhe haletë! Duhet të kuptojnë se drejtësia, politika e ekonomia do bëhen në Shqipëri e nga shqiptarë. Kështu ka qenë e do jetë! Pordhët me agjentë e të dërguar të posaçëm nuk durohen më!
Drejtësia ka shumë punë që ti trajtojë të gjithë njësoj si Sajmirin. Duhet të lirojë nga akuza disa persona, duke filluar me Dritan Zaganin, i cili u dënua si kundërshtar politik dhe jo si shkelës ligji. E kështu me radhë shumë të tjerë që mbahen në burg pa një provë të vetme direkte... beyëm trajtimi i të gjithëve njësoj, pra si të barabartë para ligjit e bën drejtësinë të besueshme!
Së fundi gjithnjë e më shumë bindem se reforma e vërtetë në drejtësi, pra reforma e procedurave e procesit hetimor e gjyqsor ende nuk është bërë. Kjo që u bë ishte një përsëritje e stërholluar e reformës së plepave të 1993.
I mbetem besnik parimit që problemi NUK JANË NJEREZIT POR SITEMI. Dhe nga sistemi i drejtësisë duhen shkulur praktika inkuizitore që na kanë mbetur nga ndikimi i jurisprudencës bolshevike, në sistemin e hetimit e të gjykimit. Se ja, ra ky rasti ti Sajmirit që u pa se sa i pa drejtë është sistemi e ç'lesh reforme është bërë...