Ylli Manjani i ka dalë në mbrojtje Sali Berishës pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara për distancimin e Partisë Demokratike prej tij dhe që mos të jetë në parlament në shtator. Ish ministri i Drejtësisë me LSI-në, është shprehur se pas deklaratës së Yuri Kim drejtuesit e Partisë Demokratike duhet të ndërpresin kontaktet me Ambasadoren. Manjani thotë se nëse zbatohen rregullat e konventës së Vjenës, zonja Kim është 'non grata' në Shqipëri.

'Për mendimin tim drejtuesit e Partisë Demokratike duhet të ndërpresin kontaktet me Ambasadorën Yuri Kim.

Është e papranueshme të vijohet komunikimi me diplomatë që të tregojnë se çduhet të bësh. Për më tepër, nuk ofrojnë asnjë garanci në këmbim. Është vendi të kujtojmë se si qeveria shkatërroi rregullat e zgjedhjeve dhe zonja Kim thjesht ra squk, megjithse po luante rolin e garantit politik.

Nuk e di ça i duhet opozitës një ambasadore e tillë, që jo vetëm nuk ndihmon por guxon edhe fyen një parti të tërë!?

Mendoj se një ambasadore e tillë e cila nuk e sheh të keqen tek monizmi dhe monistët, por merret me opozitën si gazetë e qeverisë, nuk i bën punë as Shqipërisë.

Defakto, nëse zbatohen rregullat e konventës së Vienës, zonja është nongrata. Mund ta mbajë qeveria moniste e Edi Ramës për punët e veta, por ajo smund tu tregojë shqiptarëve se çduhet të bëjnë në vendin e tyre!

E ka të ndaluar! Kolegët e saj kudo në Europë përzihen nga vendet ku shërbejnë për shumë më pak. #Barintahajëvetë!'- shkruan Manjani.

Një ditë më parë diplomatja amerikane, Yuri Kim, i kërkoi Lulzim Bashës që të distancohet nga Sali Berisha dhe këtë mesazh ndonëse e artikuloi në gjuhën angleze, e ka thënë në mënyrën më 'shqiptarçe', duke iu referuar një shprehje të periudhës së komunizmit. “Një parti nuk mund të 'hajë bar' për hir të një deputeti”, tha sot Kim, referuar shprehjes së thënë në komunizëm “edhe bar do hamë dhe nuk do i përkulemi armikut”.