Arjan Bregu
Tiranë, 2 Shkurt / ATSH - Shqipëria është duke përjetuar një intensitet të lartë të infeksioneve respiratore si një pjesë e mirë e rajonit Evropian.
Aktualisht, Shqipëria gjendet në periudhën e epidemisë së gripit. Viruset që qarkullojnë këtë vit janë AH1N1pdm09 dhe AH3N2, të cilët janë të përfshirë në vaksinën e gripit. Keshtu është shprehur sot Arjan Bregu, Drejtorii Përgjithshëm i Institutit të Shëndetit Publik.
"Gripi nuk duhet të neglizhohet dhe që në shenjat e para të shfaqjes së tij konsultohuni me mjekun e familjes dhe mjekun pediatër", ka vijuar Bregu në nje deklarate per situaten gripale ne vend. .
"Mjeku i familjes dhe pediatri duhet të vlerësojë me seriozitet të gjitha shenjat me të cilat çdo i sëmurë dyshohet i infektuar me virusin e gripit. Popullata duhet të mbrohet nga virusi i gripit dhe sidomos format e rënda të tij, të cilat shkaktojnë insuficience akute respiratore të rënde dhe komplikacione te tjera", theksoi ai.
Gripi sezonal është një infeksion viral akut, i cili përhapet lehtë nga njeriu tek njeriu. Gripi mund të prekë çdo njeri në çdo grupmoshë.
Virusi i gripit transmetohet nga njeriu tek njeriu me spërkla gjate teshtimave, kollitjes apo gjatë bisedimit me një person të infektuar. Më rrallë një individ mund infektohet me virusin e gripit duke prekur objekte të kontaminuara nga virusi dhe pastaj individi të prekë gojën apo hundën me duart e infektuara.
Periudha e inkubacionit zgjat nga 1-4 ditë. Një individ i prekur nga virusi i gripit, mund të infektojë të tjerët 1 ditë para shfaqjes se simptomave, gjatë periudhës së sëmundjes. Pra, një person i prekur nga virusi i gripit mund të transmetoje virusin një personi tjetër përpara se ai ta kuptoj që është i sëmurë.
/k.m//a.ke/







