-Situata epidemiologjike në zonën kufitare me Kosovën-
TIRANE, 12 Shkurt/ATSH/- Një ekip specialistësh (epidemiologë dhe entomologë) të Institutit të Shëndetit Publik është nisur sot për në zonat e Kukës dhe Hasit, për të vendosur komunikim të drejtpërdrejtë me epidemiologët dhe drejtuesit përkatës përsa i përket planit të masave dhe bashkërendimit të punës për përforcimin e mbikqyrjes epidemiologjike lidhur me raportimet për shtim të numrit të rasteve të tularemisë në Kosovë, e cila njihet si zonë endemike për këtë sëmundje.
Në njoftimin për shtyp bëhet me dije se specialistët e ISHP-së kanë vendosur, dhe janë në komunikim të vazhdueshëm edhe me epidemiologët e autoritetet përkatëse të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë, për të siguruar informacion të hollësishëm rreth situatës epidemiologjike të tularemisë në Kosovë.
ISHP thekson se situate e përhapjes së kësaj sëmundjeje nuk paraqet asnjë rrezikshmëri në Shqipëri, dhe se në 10 vitet e fundit nuk ka pasur asnjë rast të vetëm të raportuar me këtë patologji.
"Tularemia është sëmundje kryesisht e kafshëve, posaçërisht e brejtësve. Burim i infeksionit të kësaj sëmundjeje janë kafshët e infektuara, të cilat kontaminojnë ushqimin dhe ujin e pijshëm. Është e rëndësishme të theksojmë se kjo sëmundje nuk përhapet nga njeriu tek njeriu. Vektorët kryesorë për përhapjen e sëmundjes janë rriqnat, miza e kalit, miza e shtëpisë, mushkonja dhe morri i flokëve", sqaron./k.m/











