Ish-presidenti francez François Hollande po zhvillon një vizitë në Shqipëri me ftesë të studentëve të Kolegjit të Evropës në kampusin e Tiranëës.

Sipas njoftimit të ambasadës franceze, vizita e Hollande do të jetë dyditore, ku në axhendë përfshihen disa takime me përfaqësues të institucioneve shqiptare, të përqendruara kryesisht në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kjo bisedë do të mbahet në orën 17:30 në Kolegjin e Europës. Në orën 19:00, do të ketë edhe një ceremoni dekorimi për ish-presidentin.

Hollande u takua më herët me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, si dhe me kreun e Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla.

Gjatë takimeve, Hollande theksoi se Shqipëria ka një shans historik për anëtarësim në Bashkimin Europian, shans të cilin nuk duhet ta humbë.

Hollande është anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Asamblesë Kombëtare të Francës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:41
Balla takon ish-Presidentin francez: Shqipëria më pranë se kurrë anëtarësimit në BE! Hollande: Mos e humbni këtë shans të madh!

1782316358_tdfiuio.jpg

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka pritur sot në Kuvendin e Shqipërisë ish-Presidentin e Francës, Francoise Hollande.

Gjatë takimit, Balla ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Shqipërisë në procese kyçe, duke theksuar se vendi ynë po avancon me ritme të shpejta drejt objektivit strategjik të anëtarësimit në Unionin Europian brenda kësaj dekade.

Balla ka nënvizuar se Shqipëria ndodhet në një moment historik të procesit të integrimit, së bashku me Malin e Zi, si dy vendet më të avancuara të këtij raundi zgjerimi të BE-së.

Pjesë e bisedës ka qenë edhe zhvillimi i protestave dhe ndikimi i tyre në demokraci, duke sjellë në vëmendje përvojën franceze gjatë mandatit të Hollande me lëvizjen Nuit Debout.

“Gjatë mandatit të Presidentit Hollande, Franca u përball shpesh herë me protesta dhe biseduam gjatë takimit mbi protestat e inicijuara nga lëvizja Nuit Debout ‘Natë në këmbë’ kundër elitave politike apo mënyrës së funksionimit të demokracisë franceze. Çështjet apo kauzat e protestave mund të jenë të drejta, por ato duhet të ndiqen në rrugë institucionale, ndërkohë që gjithmonë ndodh, si edhe në Francë, që protestat të përdoren nga aktorë të huaj, jo-miqësorë, për qëllimet e tyre”, shkruan Balla.

Në përfundim, Balla ka shprehur mirënjohjen për rolin dhe mbështetjen që Franca i ka dhënë Shqipërisë ndër vite në fusha të ndryshme.

Ora 14:31
Hoxha takon ish-Presidentin François Hollande: Franca rol thelbësor në përcaktimin e së ardhmes evropiane, zgjerim i bashkëpunimit dypalësh në nivelet më të lartë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha priti sot në Tiranë ish-Presidentin francez, François Hollande.

Në një postim në rrjetin social X pas takimit, ministri i Jashtëm theksoi se "patëm një bisedë shumë të pasur mbi vendin strategjik të Ballkanit Perëndimor në agjendën aktuale evropiane, në një kontekst gjeopolitik të karakterizuar nga pasiguri të thella."

"Theksova se, për Shqipërinë, procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk është vetëm një objektiv i politikës së jashtme, por një zgjedhje historike dhe identitare, e bazuar në reforma të thella, në përafrim të plotë me vlerat evropiane dhe në një vullnet të vazhdueshëm për konsolidim demokratik. Hyrja në fazën vendimtare dhe përfundimtare të negociatave të anëtarësimit konfirmon nevojën për të ruajtur besueshmërinë dhe vazhdimësinë e procesit të zgjerimit", tha Hoxha.

Hoxha dhe Hollande shkëmbyen mendime mbi rolin thelbësor që luan Franca në përcaktimin e së ardhmes evropiane.

"Kërkesa e saj në fushën e reformave, e kombinuar me angazhimin strategjik për një Evropë më të fortë dhe më koherente, e bën atë një aktor të pazëvendësueshëm në politikën e zgjerimit", shtoi Hoxha.

Gjatë takimit, ministri Hoxha nënvizoi se bindjen se integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian përbën jo vetëm perspektivën e ardhshme, por edhe një investim strategjik për sigurinë, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë demokratike të të gjithë Evropës.

P.J/R.Xh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 14 Korrik, 12:01

    Si e vlerësoni vendimin e PD për të bojkotuar seancat plenare?