Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur se emri i saj nuk do të bëhet kurrë pengesë për formimin e institucioneve të reja të vendit.
Komentet Osmani i bëri përmes një reagimi në rrjetet sociale, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të ditës së djeshme në Kosovë, ku tha se i gjithë kontributi i saj do të jetë i fokusuar në daljen nga kriza dhe ndërtimin e institucioneve të reja.
Osmani ka falënderuar qytetarët që mbështetën Lidhjen Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e jashtëzakonshme Parlamentare, duke bërë që kjo parti të shënonte rritjen më të madhe, krahasuar me zgjedhjet e kaluara.
Vetë Osmani garoi në një listë të përbashkët me LDK-në. Sipas ish-Presidentes, rritja e LDK-së në zgjedhje është një mundësi për rikthimin e balancave demokratike në Kosovë.
Reagimi i Osmanit:
Të dashur qytetarë të Kosovës,
të dashur mbështetës e votues të LDK-së,
Nga zemra, ju faleminderit.
Faleminderit për mundësinë që na dhatë, për çdo votë, për çdo fjalë inkurajuese, për çdo dorë të shtrirë dhe për çdo hap që e bëtë bashkë me ne në këtë rrugëtim.
Gjatë këtyre javëve e muajve, patëm nderin të takonim mijëra qytetarë anembanë Kosovës. Dëgjuam shqetësimet tuaja, ëndrrat tuaja dhe shpresën tuaj për një vend më të zhvilluar, më të integruar dhe më të bashkuar. Kjo shpresë ishte forca jonë më e madhe.
Ndihemi mirënjohës për secilin prej jush që besoi se politika mund të jetë dinjitoze, se debati mund të jetë i civilizuar dhe se e ardhmja mund të ndërtohet mbi vlera, dije dhe përgjegjësi.
Faleminderit të rinjve që na dhanë energji, grave që na dhanë forcë, mërgatës që nuk e harroi atdheun dhe çdo qytetari që doli në votime duke besuar në demokraci.
Ky rezultat nuk është fundi i një gare. Është vazhdimi i një misioni. Një mision për t’i shërbyer Kosovës me përkushtim, me ndershmëri dhe me respekt për secilin qytetar, pa dallim.
Në këto zgjedhje kam marrë pjesë me qëllim që të ndihmoj në ringritjen e LDK-së dhe për t’i dhënë vendit mundësi te riktheje balansat demokratike e të krijojë institucionet sa më parë. Në këtë drejtim, e ritheksoj atë që e kam thënë disa herë: emri im as nuk ka qenë, as nuk është e as nuk do të bëhet pengesë në krijimin e institucioneve. Përkundrazi, i gjithë kontributi im do të jetë i fokusuar vetëm në daljen nga kriza dhe ndërtimin e institucioneve të cilat mbrojnë shtetin, demokracine, kushtetutën dhe aleancat.
Rruga vazhdon. Bashkë.
Lajmi kryesor:
Fitoi zgjedhjet në Kosovë, por i duhet koalicion për të formuar qeverinë, Kurti: Bashkëpunim me gjithë partitë




