Europa duhet të fitojë më shumë autonomi nga SHBA-ja, por pa shkuar drejt një “divorci” me Amerikën. Ky ishte mesazhi i ish-ministrit të Jashtëm britanik, David Miliband, gjatë një debati në festivalin letrar Hay në Londër, ku foli për tensionet gjithnjë e më të mëdha mes Europës dhe administratës Trump.

“Ju mund ta kuptoni argumentin se autonomia strategjike e Europës do të thotë divorc nga Shtetet e Bashkuara. Unë paralajmëroj fort për rrezikun e kësaj. Dhoma të ndara, ndoshta. Divorc, jo. Sepse ekziston potenciali që të përfundojmë në një situatë shumë, shumë të vështirë nëse zgjedhim opsionin e divorcit”, deklaroi Miliband.

Ish-ministri britanik, i cili prej vitit 2013 drejton International Rescue Committee, tha se Europa duhet të ndërtojë më shumë pavarësi ekonomike, ushtarake dhe teknologjike, sidomos në një kohë kur marrëdhëniet transatlantike po tensionohen.

“Europa ka nevojë edhe për ‘llogari bankare të ndara’. Duhet të zhvillojë më shumë autonomi kur bëhet fjalë për ekonominë dhe ushtrinë. Kjo bëhet e vështirë kur vjen puna tek avionët luftarakë që po blen – sepse duhet të zgjedhësh nëse do të blesh europianë apo amerikanë. E njëjta gjë ndodh edhe në fushën e inteligjencës artificiale, ku ajo që do të thotë të jesh sovran dixhital është shumë sfiduese”, tha ai.

Miliband u ndal gjatë edhe tek klima, duke thënë se Europa nuk mund të lejojë që të mbetet pas për shkak të politikave amerikane.

“Çështja e klimës është një shembull i mirë ku ne nuk mund të përballojmë të mbahemi peng nga fakti që Amerika po ecën mbrapsht. Ekziston një interes i madh ekonomik, po aq sa edhe ambiental, që Europa të jetë absolutisht në vijën e parë”, deklaroi ai.

Sipas Miliband, dobësitë ekonomike të Europës po ndikojnë drejtpërdrejt edhe tek fuqia politike dhe ushtarake e kontinentit. Ai theksoi se prodhimi për frymë në SHBA është pothuajse dy herë më i lartë se në Europë dhe se kjo diferencë po kthehet në problem strategjik. Në debat mori pjesë edhe juristi dhe shkrimtari Philippe Sands, i cili foli për marrëdhënien mes Britanisë dhe SHBA-së pas Brexit-it.

“Marrëdhënia Britani-SHBA është njëkahëshe. Të mos kemi asnjë iluzion. Britania është shumë më e varur nga SHBA. Ajo që kemi mësuar në vitet e fundit është se ka ardhur koha të mendojmë seriozisht për atë që na duhet. Lidhja jonë kryesore është me Europën dhe kjo është rruga ku duhet të shkojmë”, deklaroi Sands.

Ai shtoi se Britania duhet të rindërtojë marrëdhëniet me Bashkimin Europian në ekonomi, diplomaci dhe mbrojtje.

“Britania duhet të gjejë një mënyrë për t’u rilidhur ekonomikisht, politikisht, diplomatikisht dhe ushtarakisht me Bashkimin Europian. Kushdo që do të jetë kryeministër britanik në një ose dy vitet e ardhshme duhet të kalojë shumë kohë duke punuar me Francën për ta bërë të mundur këtë”, u shpreh ai.

Sipas moderatorit të debatit, gazetarit britanik Misha Glenny, Brexit tashmë është kthyer në një paralajmërim për vendet e tjera europiane.

“Brexit u tregoi vendeve të tjera të Bashkimit Europian se çfarë do të thotë të shkëputesh nga 40 vite harmonizimi rregullator me Europën. Është katastrofike, në një mënyrë apo në një tjetër”, tha ai.

Miliband foli edhe për konfliktet globale dhe paralajmëroi se tensionet e fundit me Iranin kanë krijuar një çarje të paprecedentë mes Europës dhe SHBA-së.

“Ky konflikt ka prishur marrëdhëniet mes Amerikës dhe Europës në një mënyrë që unë nuk e kam parë më parë kurrë deri më sot”, deklaroi ai.