Në këtë ditë të shënuar, Shoqata e të Përndjekurve Politikë përkujton qëndresën e të burgosurve të cilët u dhunuan dhe torturuan, nga ata që i quan xhelatët e kampit famëkeq të Qafës së Barit.  

Pjetër Luli është ndër ish-të dënuarit politikë të Qafë-Barit. Mes emocionesh, ai kthehet pas 42 vitesh aty ku edhe u aksidentua si pasojë e punës së detyruar.

Torturat barbare mbi të dhe dënimi me 14 vite burg aso kohe ishin për “agjitacion e propagandë”, teksa sipas tij, e gjitha ishte sajuar për ikjen pa leje nga ushtria.

Edhe pse kanë kaluar katër dekada, torturat e asaj kohe Pjetër Luli i ka ende të freskëta.

Pas zhgënjimit nga demokracia, ai emigroi në Itali, ku jeton edhe sot. Thotë se për të burgosurit politikë nuk është bërë asgjë dhe se trajtimi që po u bëhet nuk është ai që u premtua.

Nga aty ku duket sikur vetë heshtja flet për torturat dhe trajtimin ç’njerëzor, vëllai i një prej të pushkatuarve të revoltës kujton tmerrin e atëhershëm.

Rrënojat e burgut të Qafë-Barit, ku ndodheshim rreth 500 të dënuar politikë mbeten si dëshmi e torturave barbare të regjimit diktatorial mbi të burgosurit fatkeqë që dërgoheshin atje, mes maleve të thella të veriut.

lajm në perditësim...