POGRADEC-Një 39-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikim të narkotikëve dhe kërkohet nga Brazili, është arrestuar sot nga uniformat blu në Qafë Thanë. Faton Vinça pritet të ekstradohet drejt shtetit amerikano-jugor.
"Si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve mes ZQK Interpol Tirana, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, është bërë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Brazilit të shtetasit F. V., 39 vjeç, banues në fshatin Veleshte, Strugë, Maqedonia e Veriut. Gjykata e Gjashtë Federale Penale Rio de Janeiro, më datë 27.11.2019, ka lëshuar urdhër arresti për këtë shtetas, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. Veprimet procedurale u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec", thuhet në njoftimin e policisë.
Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Brazilit.