Një 67-vjeçar turk i shpallur në kërkim ndërkombëtar për terrorizëm është ndalur në momentin që tentoi të hynte në Shqipëri, në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës Nënë Tereza.

Ai u kap nga strukturat e Antiterrorit në bashkëpunim me Policinë Kufitare, pas sinjaleve të ardhura nga partnerët turq. Bëhet fjalë për personin me iniciale I. K., i cili rezulton i kërkuar për vepra të rënda, mes tyre tentativa për rrëzim të rendit kushtetues dhe përfshirje në organizatë të armatosur terroriste.

67-vjeçari u ndalua sapo zbriti në Rinas, ndërsa kontrolli i dokumenteve dhe verifikimet në sistem nxorën në pah statusin e tij si person në kërkim. Operacioni vjen në kuadër të kontrolleve të shtuara në kufi për të bllokuar hyrjen e personave që kërkohen nga drejtësia ndërkombëtare.

Ndaj tij është në fuqi masa “arrest në burg” me qëllim ekstradimin, ndërsa procedurat tashmë kanë kaluar në dorë të Prokurorisë së Tiranës. Autoritetet pritet të vijojnë me hapat ligjorë për dorëzimin e tij tek pala turke.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit 

Ndalohet nga Njësia Rajonale Antiterrorizëm, Tiranë, një shtetas që kërkohej ndërkombëtarisht, për tentativë për rrëzim të rendit kushtetues dhe pjesëmarrje në organizatë të armatosur terroriste. Shtetasi turk u ndalua gjatë tentativës për të hyrë në Republikën e Shqipërisë, nëpërmjet PKK Rinas. Si rezultat i koordinimit të informacionit dhe veprimeve operacionale, ndërmjet specialistëve të Njësisë Rajonale Antiterrorizëm, Tiranë, në Sektorin e Hetimit në Drejtorinë e Antiterrorit, me partnerët turq, si dhe si rezultat i intensifikimit të kontrolleve dhe verifikimeve në hyrje/dalje, nga shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, me objektiv parandalimin e lëvizjes ilegale, të shtetasve në kërkim ndërkombëtar, që synojnë t’i fshihen drejtësisë në shtetet ku kanë kryer vepra penale, u ndalua në hyrje të Republikës së Shqipërisë, shtetasi turk, i shpallur në kërkim ndërkombëtar: -I. K., 67 vjeç.

Ndalimi i këtij shtetasi u krye në zbatim të urdhrit të prokurorit, nxjerrë më datë 08.08.2017, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, për caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, me qëllim ekstradimin, për shtetasin I. K., për veprat penale “Tentativa për rrëzimin e rendit kushtetues” dhe “Anëtarësimi në organizatë të armatosur terroriste”, parashikuar nga legjislacioni penal turk. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkalles së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, në funksion të procedurës për ekstradimin e këtij shtetasi"