Ishte shtruar tek Infektivi, COVID-i i merr jetën drejtorit të 'Patentave' në Gjirokastër! Çuçi: Lamtumirë mik, çdo fjalë do ishte e pamjaftueshme për të vlerësuar siç duhet

Ishte shtruar tek Infektivi, COVID-i i merr jetën drejtorit të 'Patentave' në Gjirokastër! Çuçi: Lamtumirë mik, çdo fjalë do ishte e pamjaftueshme për të vlerësuar siç duhet

Edi Pesha dhe Bledi Çuçi

COVID-19 i ka marrë jetën Drejtorit të 'Patentave' në Gjirokastër, Edi Pesha. Prej më shumë se 20 ditës ai ishte i shtruar në Spitalin Infektiv në Tiranë, ndërsa gjendja shëndetësore e tij ishte rënduar shumë ditët e fundit, ku ishte vënë edhe në intubim.

Pesha u infektua me COVID-19 një muaj më parë dhe fillimisht u mjekua por gjendja e tij shëndetësore u rëndua së tepërmi duke bërë shtrimin e tij në spital, por nuk mundi sërish të mbijetonte dot. Pesha ishte emëruar si drejtor i Transportit Rrugor, ose ‘Patentave’ në Gjirokastër në dhjetor të vitit të shkuar. Më parë ai kishte mbajtur postin e drejtorit të Shërbimit Kombëtar të Punësimit në Gjirokastër.

Për vdekjen e tij ka reaguar edhe ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, i cili shkruan se nuk ka fjalë për të përshkruar humbjen e mikut të tij, apo për të vlerësuar figurën dhe vlerat e tij njerëzore

“Këto janë disa fjalë që nuk do të kisha dashur kurrë t’i shkruaja, por ja që s’kemi dot fuqi mbi ligjet e jetës, as parashikojmë vdekjen e jo më t’i dalim kundër. Sapo mora vesh ndarjen e papritur nga jeta të Edi Peshës, mikut e bashkëpunëtorit tonë të hershëm në Gjirokastër. Një drejtues i shkëlqyer e aktivist i hershëm në radhët e Partisë Socialiste. Ai nuk ia doli dot ta fitonte betejën me virusin e mallkuar, që nuk kursen jetë njerëzish as sot në këtë ditë të shënuar Krishtlindjesh. Edi do të na mungojë të gjithëve, do t’i mungojë Gjirokastrës dhe shumë më shumë familjes së tij të mrekullueshme; bashkëshortes Fiqirete e fëmijëve Maria dhe Tomi, për të cilët do të jetë një mbrojtës e këshilltar i pazëvëndësueshem për të gjithë jetën. Bëjeni zemrën gur e i jepni kurajo vetes për të jetuar me kujtimin e tij të bukur. Zor të gjej më tepër fjalë për të treguar se kush ishte Edi Pesha e çfarë përfaqësonte ai, një njeri fjalëpakë e punë shumë, buzagaz si përherë dhe që kishte ditur t’i bënte vend vetes te kushdo që e njihte. Gjithçka tjetër që mund të them në një ditë si kjo, do të ishte e pamjaftueshme për ta nderuar e vlerësuar si duhet Edi Peshën. Çdo fjalë sado e qëmtuar që mund të jetë, zor se e lehtëson peshën e kësaj humbje kaq të madhe e të parakohshme. Kam frikë se bie edhe në kurthin e lëvdatave që thuhen zakonisht në kësi rastesh, e që me siguri kjo Edit s’do t’i kishte pëlqyer kurrë. Ndoshta dhe do të na qortonte nëse ai vetë do të kishte mundësi t’i lexonte këto radhë të shkruara nxitimthi teksa s’e besoj dot ende që sot e tutje ai s’do të jetë më mes nesh. Zoti zgjodhi që ta merrte me vete në një banesë tjetër, në një ditë të shënuar si kjo. Zakoni e do që të themi lamtumirë mik i dashur. Shpirti yt u prehtë në paqe! ”, shkruan Çuçi.

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave