Zjarri në plazhin Moutchic në bregun e liqenit Lacanau

Turistët që ndodheshin në zonat e prekura nga zjarret në jugperëndim të Francës kanë rrëfyer momentet dramatike të evakuimit. Zac Morrison, 21 vjeç nga Londra, i cili po pushonte me 10 anëtarë të familjes në gadishullin Cap Ferret, tha për BBC se u zgjua në orën 04:00 nga mesazhet e emergjencës që urdhëronin largimin "me çdo mjet të mundshëm". Ai tregoi se xhandarmëria franceze trokiste derë më derë për të nxjerrë banorët dhe turistët nga shtëpitë dhe kampingjet.

"Ishte si në një film. Morëm gjithçka që mundëm dhe u larguam", tha ai, duke shtuar se shumë familje kaluan natën në plazh, shkolla apo magazina, ndërsa njerëzit prisnin me valixhet pranë detit udhëzimet e autoriteteve.

Edhe David Morton, i cili po kalonte pushimet me bashkëshorten dhe dy djemtë në Cap Ferret, tha se familja e tij pati vetëm 15 minuta kohë për të braktisur kampingun.

"Telefonat nisën të binin njëkohësisht dhe mesazhi na urdhëronte të largoheshim menjëherë. Flakët ishin më të larta se pishat e pyllit, sa një ndërtesë me pesë ose gjashtë kate. Ishte e qartë se zjarri kishte dalë plotësisht jashtë kontrollit", rrëfeu ai.

Një tjetër turiste, Rebecca Papin, e cila ndodhej në shtëpinë e saj të pushimeve në Biscarrosse, tha se brenda vetëm pak orësh pa qiellin të mbushej me avionë zjarrfikës. Ajo tregoi se nuk dëgjoi alarmin e evakuimit gjatë natës dhe kur u zgjua mëngjesin tjetër qyteti ishte pothuajse bosh.

"Policia më tha të mos dilja nga shtëpia në asnjë rrethanë. Rrugët kryesore ishin në flakë dhe hiri binte nga qielli si dëborë", u shpreh ajo.

Disa turistë britanikë kanë zgjedhur të vazhdojnë pushimet në rajone të tjera të Francës, ndërsa të tjerë presin ende të mësojnë nëse do të mund të kthehen në zonat ku kishin rezervuar pushimet ose do të detyrohen t'i ndërpresin ato përfundimisht.


Lajmi kryesor:

Spanja e Franca vijojnë betejën me flakët, shkon në 270 mijë numri i personave të evakuuar