Flakët po shkaktojnë shkatërrime të përmasave të mëdha në Spanjë dhe Francë. Numri i të evakuuarve në të dy shtetet ka shkuar në 270 mijë.
Në Spanjë veçanërisht është prekur Madridi me zjarrin më të madh të regjistruar në historinë e rajonit. Qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare, ndërsa dje zjarret detyruan evakuimin e një objekti të NASA-s, ku ndodhen disa antena gjigante të rrjetit Deep Space Netëork, i cili mundëson komunikimin me anijet kozmike që kryejnë misione në hapësirën e thellë.
Sipas gazetës El País, zjarret vazhdojnë të jenë aktive dhe jashtë kontrollit. Gjatë natës, ato u përhapën shumë pak dhe humbën disi intensitet, por rritja e erës gjatë ditës mbetet një shqetësim serioz.
Situata mbetet "komplekse", deklaroi kryeministri Pedro Sánchez. "Prioriteti është të shpëtojmë jetë njerëzish." Ai vizitoi këtë të shtunë zonën e përfshirë nga flakët, ku janë djegur tashmë 25.000 hektarë.
Sanchez bëri thirrje për një "pakt kombëtar kundër emergjencës klimatike’ dhe tha se qytetarët duhet të "pranojnë dhe të kuptojnë" se ndryshimet klimatike po shkaktojnë zjarre pyjore gjithnjë e më të rënda dhe më intensive, të cilat "po tejkalojnë edhe parashikimet shkencore".
Franca gjithashtu po vuan emergjencën e zjarreve sidomos në jugperëndim të vendit, ku zjarri gjigant në bregdetin e Atlantikut po i afrohet qytetit të Bordeaux, si pasojë e erërave që janë drejtuar nga brendësia e vendit.
Gjatë natës, autoritetet u kërkuan banorëve të shtatë komunave në periferi të zonës metropolitane të Bordeaux të largoheshin nga shtëpitë e tyre pasi flakët ndodhen vetëm pak kilometra larg qytetit të madh, ku tymi dhe era e djegies kanë ndotur ajrin.
Gjatë natës, kryeministri Sébastien Lecornu njoftoi dërgimin e 1,5 milionë maskave FFP2 që u përdorën gjatë pandemisë COVID-19 "për të mbrojtur ekipet e shpëtimit dhe popullsinë nga tymi i dëmshëm për shëndetin".
Ai njoftoi gjithashtu dërgimin e 500 ushtarëve shtesë, duke e çuar numrin e tyre në 1.000, si dhe angazhimin e avionit ushtarak A400M në rajonin e Gironde.
Autoritetet u bënë thirrje drejtuesve të automjeteve të shmangin rajonin dhe të lënë rrugët të lira për automjetet e emergjencës. Ndërkohë, Aeroporti Bordeaux-Mérignac mund të mbyllet në orët në vijim.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se situata mbetet jashtëzakonisht e tensionuar për shkak të zjarreve që po shkatërrojnë vendin, veçanërisht në rajonin e Gironde. Ai u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdesin maksimal pasi çdo veprim ka rëndësi për të mbrojtur jetën, shtëpitë, pyjet dhe peisazhet franceze.
Komente










