"Fatkeqësisht, Kosova si të gjitha vendet e Evropës dhe vendet e botës nuk mund të jetë imune ndaj kërcënimit global terrorist", tha Jahjaga në një intervistë për televizionin amerikan FoxNews.
Më tej ajo ka folur për hapat që është duke ndërmarrë Kosova në luftën kundër terrorizmit. "Ne jemi duke i marrë seriozisht këto kërcënime dhe mekanizmat tonë të sigurisë janë duke punuar në vazhdimësi që të adresojnë këtë mënyrë të sfidës që po na paraqitet", ka deklaruar presidentja kosovare.
Jahjaga në këtë intervistë ka përmendur edhe arrestimin e imamëve të fundit, duke përmendur edhe dyshimet se pse ata janë arrestuar. "Ne kemi marrë edhe disa hapa konkretë për këto elemente dhe kemi marrë masa ligjore për të parandaluar që Kosova të mos bëhet korridor për parakalimin e tyre. Në javët e fundit ne kemi arrestuar 15 të dyshuar, të cilët janë të dyshuar edhe për inspirimin e qytetarëve të Kosovës që t'u bashkohen organizatave si ISIS, apo janë të dyshuar për financime të dyshuara", deklaroi Jahjaga.
Ajo ka theksuar se Kosova nuk ka qenë dhe nuk do të bëhet kurrë korridor i aktiviteteve të tyre.
Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)