IRAK- SHBA ka nisur sulme të reja, më të ashpra në Irak, pavarësisht kërcënimeve nga grupi ekstremist i ISIS për të vrarë një tjetër gazetar, si ndëshkim i sulmeve amerikane. Forcat ajrore të SHBA-së po kryejnë sulme ajrore afër qytetit të Mosulit. Që nga publikimi i videos, forcat amerikane kanë kryer 14 sulme në afërsi të digës së Mosulit, një zonë kyçe, kontrolli i së cilës është marrë gjatë kësaj jave.

Ndërkaq, pas ekzekutimit të gazetarit James Foley, të mbajtur peng që nga nëntori i vitit 2012, Pentagoni bëri të ditur se ka kryer një mision sekret në Irak për lirimin e pengjeve, por që nuk ka rezultuar i sukseshëm pasi pengjet nuk ishin në vendin e synuar. Kjo u konfirmua edhe nga zyrtarë të lartë të administratës amerikane, të cilët thanë se dhjetëra trupa amerikane ishin angazhuar në përleshjet me armë me militantët e ISIS, duke vrarë disa prej tyre, por nuk operacioni nuk pati rezultat pasi pengjet nuk ishin në vendin e synuar.

Ndërkaq, kanë nisur hetimet e shërbimit të sigurisë në Britaninë e Madhe për identifikimin e xhihadistit, të dyshuar britanik, që shfaqet në ekzekutimin e gazetarit amerikan Foley. Kryeministri David Cameron tha se ‘me shumë gjasa’ personi në video është anglez. Ndërsa e përditshmja britanike “The Guardian” shtoi se personi mendohet të jetë udhëheqës i një grupi luftëtarësh me bazë në Siri. Sipas gazetës, ai e ka quajtur veten John dhe besohet të jetë nga Londra ose jug-lindja e Anglisë dhe ka shkuar në Siri prej 3 vitesh.

Zyrtarët e sigurisë britanike thanë se personi do të vihet në ndjekje, por do të jetë shumë vështirë për ta vënë atë përpara drejtësisë. Raporte të pakonfirmuara ende thonë se ai mendohet të jetë pjesë e një grupi të vogël xhihadistë të ngarkuar me ruajtjen e pengjeve. Sipas analistëve, personi i maskuar ka një zë të veçantë dhe identifikimi i tij është vetëm çështje kohe.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)