Ismail Kadare në Pogradec, lule
në shtatoren e Lasgush Poradecit

Ismail Kadare në Pogradec, lule<br />në shtatoren e Lasgush Poradecit
Shkrimtari i madh Ismail Kadare ka shkuar në Pogradec dhe ka çuar një tufë lule në shtatoren e Lasgush Poradecit.

Ismail Kadare e ka vlerësuar poetin e madh Poradeci edhe në kohët më të vështira të jetës së poetit, kur jetonte i mënjanuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve në qytetin e vogël të Pogradecit.

Poeti i madh lirik Poradeci, nuk bëri në atë kohë asnjë kompromis për t’iu përshtatur me frymës së realizmit socialist në art e letërsi gjatë regjimit komunist. Por, vetë Ismail Kadare e adhuronte poetin dhe përpiqej të mbante kontakte me të, edhe pse Lasgushi kishte një karakter të vështirë në komunikim. Ja ç’kujton Ismail Kadare nga takimet me Lasgush Poradecin.

“Ajo çka, në vend që të më mundonte, më mahniste gjithmonë, sa herë që takoja Lasgush Poradecin, ishte ndjesia e së pamundurës. Ishte e pamundur të merreshe vesh me të si me të tjerët. Porsa hyje tek ai, madje porsa trokisje në portë, aty për aty gjithçka tjetërsohej. Tjetër logjikë në të biseduar, tjetër kod, të tjera fjalë, të mbështjella me kuptim tjetër. Diçka mungonte përherë, e diçka qe e tepërt. Ai vetë ishte aty, i vëmendshëm për gjithçka, e megjithatë, ti e ndieje se sa ç’ishte, aq edhe mungonte”, shkruan Kadare.

Për Ismail Kadarenë, takimet me Lasgushin kishin një domethënie të madhe.

“Më e habitshmja ishte se ty të pëlqente kjo, se nuk doje aspak që të prishej kjo magji, ashtu siç nuk doje që fjalëve që thuheshin t’u ikte dysia, velloja me të cilën sapo ishte mbështjellë dhe t’u ktheheshin kuptimet e tyre të mirëfillta, që ngjanin tani të zbehta. Një njeriu meskin do t’i dukej i krisur, një tjetër mund të mendonte se atë mjegullinë ia krijonte pleqëria. Por s’ishte as e para, as e dyta. Lasgushi kishte qenë gjithmonë ashtu, dhe ashtu e mbaja mend gjithmonë.”

Kadareja e përshkruan në këtë mënyrë misterin e mënyrës së jetesë së Poradecit në Shqipërinë komuniste.

“Befas, në tryezën e punës, rreth vatrës me miqtë, ose midis mitingjeve, ose në breg të detit, të vinte si një kumt i papritur mendimi se Lasgushi rron. Ti e dije që rron, megjithatë shkundje kokën një grimë, si të kishe rimarrë një lajm të gëzuar. Ai është midis nesh. Ai s’është veç disa qindra hapa larg. Ai është atje…. Lasgushi ishte aty, disa qindra hapa larg, e, megjithatë, përse nuk nisesha me ngut, me panik, për të mos humbur kohë? Përse nuk kam shkuar më shpesh, thosha me vete. Dhe prapë shkoja rrallë. S’kisha kurrfarë droje se do ta shqetësoj. Ai më priste përherë me kënaqësi, madje më çonte fjalë t’i shkoj. Ishte një pengesë e tjetërfartë. Pengesa që shkakton ëndrra. Askush nuk ngutet të shkojë drejt saj. Sepse, në fund të fundit, vonesa dhe ngadalësia bëjnë pjesë në mekanikën e saj.  Të shkoje tek ai, ishte më shumë se të dilje jashtë shtetit. Të dukej se dilje jashtë kohës, jashtë sistemit të zakonshëm të të menduarit”, shkruan ndër të tjera Ismail Kadare në kujtimet e tij.

Më pas shkrimitari Ismail Kadare ka çuar një tufë me lule dhe te shtatorja e shkrimtarit të madh Mitrush Kuteli.

Ismail Kadre-Lasgush Poradeci
Te shtatorja e Lasgush Poradecit
Ismail Kadre-Lasgush Poradeci
Te shtatorja e Mitrush Kutelit

Redaksia Online
(m.b/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon pamje që nuk ndodhen fare në Shqipëri

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon pamje që nuk ndodhen fare në Shqipëri