Zv/drejtori i ISSH-së, Astrit Hado,  i ftuar në studion e A1 Report ka folur rreth reformës në skemën e pensioneve, ku ka theksuar se me ndryshimet e ligjit që kanë hyrë në fuqi më 1 janar çojnë masën e pensionit në varësi të kontributeve të derdhura.
 
“Është hequr tavani i pensionit maksimal. Pensionistët do të marrin atë që del nga formula e përllogaritjes së pensionit. Pensioni është i përbërë nga 2 pjesë, nga një shumë fikse, që është edhe pensioni social dhe nga një shumë tjetër që është variabël, që varet nga kohëzgjatja e punës dhe kontributet e paguara.”- tha Hado në studion e A1 Report.  

Sipas tij nevoja për reformën në skemën e pensioneve ka qenë prej vitesh në tavolinë, kjo argumenton Zv/drejtori i ISSH-së, Astrit Hado për shkak se aktualisht ka një deficit të maksimal, ndërkohë që janë edhe janë mbi 1 milionë emigrantë që janë kontribuues të munguar.

Hado: Kompani shtetërore që janë debitore ndaj ISSH
Gjatë intervistës në A1 Report, Hado ka pranuar se ka disa kompani shtetërore të cilat nuk kanë paguar kontributet shoqërore të punonjësve të tyre, ose i kanë paguar ato me vonesë duke u bërë debitorë ndaj ISSH.

Gjithashtu ai shton se nga të dhënat paraprake ka një shtim të numrit të kontribuuesve dhe sipas tij një pjesë e kësaj rritje vjen edhe si rezultat i luftës kundër punës në të zezë.

“Është e vërtetë që ka disa kompani shtetërore që janë debitore ndaj ISSH. Nuk është çështja se kanë mashtrua, por nuk kanë paguar kontributet shoqërore ose i kanë paguar me vonesë. Nga të dhënat operative tregojnë se kemi një shtim të madh të kontribuuesve edhe si rezultat i luftimit të punës në të zezë. Kemi të dhëna të sakta se sa persona janë të siguruar, por nuk kemi sa janë të punësuar. Ka që punojnë në të zezë, ka që deklarojnë pagën minimale duke fshehur atë reale.”- u shpreh Hado.
 
Hado:  Brenda 2018 barazohet kontributi i fermerëve me të vetëpunësuarit
Duke folur për barazinë e pensioneve në fshat me atë në qytet, Hado ritheksoi se gjithçka do të varet nga kontributet që do të të derdhen. Dhe ato do të jenë të barabarta nëse kontributet do të derdhen rregullisht.

“Në 2002-shin është bërë një reformë për rritjen e moshës së pensionit dhe teorikisht në 2012 është barazuar pensionet. Përsa i përket masës së pensionit ajo është individuale. Llogaritja e pensionit në bazë të meritës. Nuk ka arsye që të mos barazohen, por duhet të kontribuojnë.” – tha Hado.
Më tej ai bëri të ditur se në ligjin e ri parashikohet që brenda vitit 2018 do të barazohet masa e kontributit që do të paguajë një fermer të vetëpunësuar në fshat me një të vetëpunësuar në qytet.

Hado: Dalja në pension, ulëm moshën për pensionistët, e rrisim për gratë
Gjatë intervistës në A1 Report, Hado ka dhënë shpjegim edhe për përfitimin e pensionit nga ana e miratorëve dhe për ngritjen graduale të moshës së daljes në pension për gratë.

“Për minatorët është ulur mosha e pensioneve me 5 vite, në 55 vjeç. Rreth 3700 persona që marrin trajtim të veçantë dalin në pension të plotë. Me 30 vite punë në total nga të cilat 12.5 vite punë nën tokë. Rritja e daljes në pension është vetëm për gratë duke u rritur çdo vit nga 2 muaj deri sa të arrihet dalja në pension me 63 vjeç. Kemi vendosur që të ketë diferencë, gratë në 2032 do dalin në pension 2 vite më herët s burrat.”- tha Hado.
 
Hado: Kemi nisur dixhitalizimin e dokumentave
“Ne i kemi grumbulluar të gjitha dokumente e vjetërsisë në punë. Janë të gjithë nën administrimin tonë. Kemi filluar dixhitalizimin e tyre, prej 3 vitesh tashmë. Është përfunduar dixhitalizimi i kooperative bujqësore dhe do ua ofrojmë qytetarëve shumë shpejt. Jemi në proces për dixhatilizimin e dokumenteve të tjera. Qytetarët nuk duhen të tremben nëse u kanë humbur librezat, pasi janë në ISSH, me përjashtim të dokumentave të atyre ndërmarrjeje që janë djegur në 1991-1991 dhe 1997.”- tha Hado i cili në përfundim të intervistës deklaroi se brenda 7-8 viteve kjo reformë do të nisë të japë efektet e saj pozitive.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)