TIRANË - Është zhvilluar sot mbledhja e Këshillit të Ministrave, në të cilën u miratuan disa vendime dhe projektiligje për Institutin e Sigurimeve Shoqërore, hapësirën detare, Institutin e Monumenteve, por dhe dy emërime në krye të Cirkut Kombëtar, të Qendrës Kombëtare të Fëmijëve etj.

INSTITUTI I SIGURIMEVE SHOQËRORE NË VARËSI TË MMSR
Vendim për “sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, që synon përcaktimin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë si autoritet kompetent për monitorimin dhe kontrollin e veprimtarisë së Institutit të Sigurimeve Shoqërore, projektligj që do t'i kalohet Kuvendit për miratim.
 
Vendim për një ndryshim në vendimet lidhur me Shërbimin e Gjendjes Civile, që synon modelin e procesverbalit, që mbahet gjatë procedurës për ndryshimin e emrit dhe mbiemrit të shtetasve.
 
LEJOHEN TË EKSPOZOHEN NË KOSOVË 14 VEPRA UNIKALE ARTI
Një tjetër vendim për lejimin e ekspozimit në Kosovë të 14 veprave të artit në pikturë, me vlera unikale, në kuadër të realizimit të ekspozitës “Imazhi gjuhësor i piktorëve të hershëm tradicionalë në viset tona”. Vendimi ka si qëllim lejimin e ekspozimit në Kosovë, të 14 pikturave, në ekspozitën “Imazhi gjuhësor i piktorëve të hershëm tradicionalë në viset tona”, që do të qëndrojë e hapur nga data 19 nëntor deri më 20 dhjetor 2013.

DREJTOR I CIRKUT KOMBËTAR, KUJTIM DUMI
Një tjetër vendim i KM sot: Emërimi në detyrë si drejtor i Cirkut Kombëtar i Kujtim Dumit.

DREJTORESHË E QENDRËS KOMBËTARE TË FËMIJËVE, MONIKA LUBONJA
Është emëruar në detyrë si drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe Teatrin e Kukullave, Monika Lubonja.
 
INSTITUTI I MONUMENTEVE "GANI STRAZIMIRI", KOMPETENCA KUNDËR LIGJIT
Për shfuqizimin e vendimit nr.983, datë 10.11.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kompetencave të Institutit të Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” dhe riorganizimin e disa institucioneve të trashëgimisë kulturore”. Sipas Këshillit të Ministrave, Institutit të Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” i janë dhënë disa kompetenca në kundërshtim me ligjet materiale, për shkak të të cilave edhe struktura dhe organika e këtij  institucioni, nuk ka mundur dhe nuk mund të implementohet.

VENDIM PËR VËZHGIMIN E HAPËSIRËS DETARE, E CËNUAR RËNDË
Për lejimin e Ministrisë së Mbrojtjes për zhvillimin e procedurës së prokurimit, me objekt “Mirëmbajtje e sistemit të vëzhgimit të integruar të hapësirës detare”. Projekti ka për qëllim lejimin e zhvillimit të procedurës së prokurimit, me objekt “Mirëmbajtje e sistemit të vëzhgimit të integruar të hapësirës detare”, mosrealizimi i të cilës ka cënuar rëndë përmbushjen e misionit të Komandës së Forcës Detare.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)