/ATSH-ANA-MPA/ - Në një intervistë për televizionin italian, RAItre, ministri grek i Financave, Janis Varufaqis deklaroi se drejtues të një institucioni të lartë italian më thanë se ata janë solidarë me vendin tim, mirëpo nuk mund të thonë të vërtetën, sepse edhe Italia rrezikon të falimentojë dhe, në këtë rast, u druhen pasojave të mundshme nga Gjermania.
"Vitet e fundit e gjithë Evropa është mbuluar nga retë e frikës. Rrezikojmë të bëhemi më keq se ish-Bashkimi Sovjetik. Dua t'ju them se ne grekët nuk kemi monopolin e të vërtetës. Ajo që mund të bëjmë për gjithë Evropën dhe posaçërisht për Italinë, është që të hapim një portë të vogël drejt së vërtetës. Nuk mundemi ta gjejmë vetëm të vërtetën, por mund të hapim një portë dhe të lëvizim, kështu që të mund të na afroheni. Në këtë mënyrë do të mundim të gjithë të kalojmë nga errësira e shtrëngesës së sotme në dritën e një diskutimi evropian racional dhe të arsyeshëm", deklaroi Varufaqis.
I pyetur nëse Greqia më në fund do të mundë t'ia dalë, Varufaqis tha se "qeveria greke do të propozojë një New Deal (Marrëveshje të re), siç ka bërë presidenti amerikan Roosevelt".
"Një New Deal për Evropën, që do të financohet nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI), çka do të thotë rritje e ndjeshme e kapitaleve", theksoi ai.
"Këto janë ide dhe propozime që kanë të bëjnë me gjithë Evropën, sepse ne grekët nuk besojmë se kemi të drejtën të kërkojmë për veten tonë diçka që nuk do të vlejë edhe për italianët, portugezët apo irlandezët. Herët a vonë, kancelarja Merkel do të duhet të ulet në të njëjtën tavolinë me ne dhe të na shpjegojë se për çfarë arsye nuk miraton propozimet tona", thotë i sigurtë ministri grek i Financave, Janis Varufaqis